Albin Kurti, Kosova dhe e ardhmja!

08 tetor 16:08

Shkruan: Bedri ISLAMI

Kosova, nga e diela në mbrëmje, ka një kryeministër të ri, Albin Kurti, dhe një forcë politike që do të drejtojë vendin, Lëvizja Vetëvendosje!

Albin Kurti, njëri ndër liderët e Lëvizjes Studentore të vitit 1997, më pas i angazhuar në Zyrën e Adem Demaçit në Prishtinë, qershor 1998 e deri në arrestimin e tij në javët e fundit të luftës në Kosovë, i burgosuri politik në burgjet serbe, i cili u lirua pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të ish-presidentit francez, Jak Chirak, krijuesi i një Lëvizje politike që shpejt do të kthehej në forcë politike, deputeti rebel dhe shpesh herë kryengritës edhe brenda sallës së parlamentit, i drejtpërdrejtë në artikulimet e tij, gjithnjë me idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm; kundërshtari më i ndjeshëm ndaj lëvizjeve politike të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ende nuk kanë gjetur asnjë pikë takimi të përbashkët; i revoltuari me qeverinë e tij, kushdo të ketë qeverisur, por edhe me shtetin shqiptar dhe, i beftë në lidhjet politike të krijuara, do të jetë kryeministri i ri i Kosovës.

Pavarësisht fitores së tij të çastit të fundit, me një diferencë të ngushtë ndaj LDK-së së Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, e para grua që kandidon deri tani për postin kryeministror, fitore që ka edhe përkrahjen e dhënë nga diaspora, ku ai gjeti mjaft nga dishepujt e tij, që mund të kenë bërë edhe diferencën e duhur, Albin Kurti e sheh veten dhe , Kosova e sheh atë , si njeriun që mund të bëjë kthesën e duhur, të sjellë një frymë ndryshe në qeverisje, të ketë përballje tjetër lloj në bisedimet e zgjatura me shtetin serb dhe faktorin ndërkombëtar; të krijojë një qeveri të së drejtës, për njerëzit e me njerëzit.

Vota e ditës së diel, më shumë se sa mbështetje ndaj një programi të caktuar, ishte një votë ndëshkuese ndaj gjithë një klase politike, shumë nga të cilët të ardhur nga lufta, menduan se mund ta qeverisnin Kosovën si ia kishte qejfi, të ngushtonin lirinë e të tjerëve, duke rritur përfitimet e tyre. Ndëshkimi i tyre, gjithsesi i merituar dhe në kohën e duhur, ka të bëjë edhe me sorollatjen qeverisëse, krijuar shpesh herë nga ngushtësia e momentit se sa nga aleanca burimore, të ngritura përmes vizionit të përbashkët apo synimeve të përbashkëta. Ndëshkimi erdhi pikërisht në zgripin e një qeverisje, të cilën, as shpatullat e forta të Ramush Haradinajt nuk mund ta ngrinin.

Por, nuk ishte vetëm ky shkaku i fitores së VV dhe të Albin Kurtit. Në një shkrim të para tri ditëve kemi shënuar se të gjitha forcat politike në Kosovë janë provuar në qeverisjen e saj dhe të gjitha kanë qenë pranë dështimit, ose edhe kanë dështuar. E vetmja forcë politike që nuk ishte provuar qëndronte tek Lëvizja VV dhe lideri i saj karizmatik, Albin Kurti. Kishte ardhur koha që, në një mënyrë ose në një tjetër, drejtimi i Kosovës t’i besohej një forcë të re dhe një lideri tjetër, i cili nuk kishte qëndruar në pas-skenë edhe kur kishte qenë lideri i opozitës, as kur ishte menduar se ndarja do e dobësonte atë dhe as kur kishte hapur në të njëjtën kohë dy fronte të përballimit; njërin në Kosovë dh tjetrin në Shqipëri. Përkrahja ndaj tij, megjithëse jo aq sa pritej, e ngushtë në numra dhe e shpërndarë në disa forca politike,me siguri, do e bëjë atë më të vëmendshëm, më të matur në hapat që do të hedhë, më racional dhe programues më të saktë për të ardhmen.

Sidoqoftë, fitorja e tij, nuk ishte dhuratë dhe as e papritur. Për të arritur deri këtu, Albin Kurti, me dorë të fuqishme dhe nganjëherë të hekurt, e ktheu Lëvizjen e tij në një forcë politike të organizuar, të drejtuar mbi disa parime koncentruese dhe duke e kthyer në një lëvizje masive protestuese. Përvoja e tij në Lëvizjen studentore të para vitit 1997 dhe në demonstratat e saj në tetorin e këtij viti, e kanë bindur atë se ndryshimet nuk mund të vijnë dhe të realizohen duke heshtur, pritur apo përmes një rruge të mëndafshtë. Aso kohe, së bashku me liderët e tjerë studentorë, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci,  e kthyen lëvizjen e tyre në një parafjalë të luftës që do të vinte dhe, dashje pa dashje, kjo përvojë masovike, ka gjetur shprehjen e saj edhe në këto vite kur VV ishte forcë politike opozitare, që nuk ndalej as para hedhjes së molotovëve në sallën e kuvendit, përplasjes dhe debatit të pashterrur politik.

VV është sot forca politike më e organizuar në Kosovë dhe kjo ka sjellë fitoren e saj. Ajo, e shtrirë tek të rinjtë, ka sjell besimin tek ndryshimi dhe te një ekip i ri drejtuesish politikë e shtetërorë.

Albin Kurti është lideri më karizmatik politik i shqiptarëve në Kosovë. Megjithëse ai nuk arriti të sigurojë mbi 30 për qind të votave të dhëna,  çka ishte pritur edhe nga institucione jashtë Kosovës, mori të drejtën e krijimit të qeverisë së re, për të cilën ka premtuar dy gjëra themelore: do të jetë qeveri efikase, e vogël në numër, por e zhdërvjelltë në veprim dhe, ndëshkimin e së keqes së bërë para qeverisjes së tij, pra ndëshkimin e korrupsionit, vjedhjeve, nepotizmit, politikave të prapështa.

Ai ka meritën e tij të padiskutueshme në të gjithë këto zhvillime dhe në fitoren e së dielës. Njeri i lexuar, njohës i mirë i disa filozofive politike të kohës, artikulues i saktë i mendimit të tij politik, debatues i fuqishëm, i pakompromis, atë nuk e ndalën drejt pushtetit as disa lidhje të tij, të pakuptueshme, me figura që bartin mbi vete forca ekstremiste të besimit radikal islam, e po ashtu, as ndarja, disa muaj më parë, e një grupi bashkëthemelues, që krijuan më pas një partizë, drejtuar nga Shpend Ahmeti.

Në fushatën e zhvilluar Albin Kurti u konfirmua si lideri kryesor, pasi edhe filozofia e tij në këtë fushatë ishte më e kapshme se të tjerët, më e drejtpërdrejtë, më pranë njerëzve, të cilët shpesh herë ishin lodhur nga premtimet e atyre që kishin qeverisur deri të dielën. Ai e moderoi fjalorin e tij gjatë fushatës, duke theksuar pikërisht ato që kishte mohuar deri asaj kohe, duke nënvizuar përkushtimin e tij dhe lojalitetin ndaj Kosovës, ndaj asaj që kishte ndodhur, duke njohur disa vlera të mohuara më herët, duke afruar qëndrimet e tij edhe me forca politike që normalisht duhej të ishin kundërshtarë të saj, si me LDK, duke  moderuar qëndrimin ndaj figurës së Ibrahim Rugovës dhe, atë që kishte pasur themelore para fushatës, bashkimin me shtetin shqiptar, e kaloi mjeshtërisht në plan të dytë dhe, si duket nga deklaratat e para të tij, do vazhdojë ta shtyjë në etazhet e tjera të politikës së tij, si ka ndodhur edhe me qeveritarë të tjerë.

Kurti ndodhet para tri ngjarjeve kryesore: krijimin e qeverisë së re, dhe për këtë ia ka bërë hapin e parë duke iu drejtuar forcës së dytë politike në vend, LDK-së, dhe, nëse kjo ndodh, do të jetë hera e parë që , dy forca politike mund të krijojnë vetë qeverinë, pa pasur domosdoshmëri edhe faktorin politik serb, çka , edhe ashtu mund t’i imponohet nga ndërkombëtarët; bisedimet me Serbinë, të cilat do të jenë të domosdoshme, edhe nga që është vënë si primare e shumë shteteve; taksa 100 për qind ndaj prodhimeve të ardhura nga Serbia, çka përbën edhe një thembër akiliane në qeverinë e ardhshme. Të tria këto ngjarje madhore në pamjen e parë, kanë fare pak të bëjnë me drejtimin konkret të qeverisë, uljen nga retë teorike dhe të mendimit në realitetin praktik, por, në fakt, janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Do të mundet Kurti të përballojë presionin ndërkombëtar, të eliminojë probleme të krijuara nga e shkuara politike qeverisëse, apo do të gjejë pikërisht këtu mbështjellësen e justifikimeve, çka ka ndodhur shpesh herë në politikën shqiptare të Kosovës? Do të mundet të jetë po aq atdhetar  i vendosur edhe në tryezën e bisedimeve, sa është shfaqur në diskurset politike?

Si ka vërejtur me të drejtë analisti i njohur politik, Bislim Elshani, “Nëse mbrëmë,  flamujt amerikanë dhe gjermanë, gjatë festimit, nuk i kishte për shfaqje popullizmi e vardisje ndaj të mëdhenjve, por një mesazh politik simbolik, atëherë kjo nënkupton se edhe për bisedimet me Serbinë do të këshillohet me të mëdhenjtë, pavarësisht premtimeve elektorale!

Albin Kurti është i njohur edhe në Shqipëri për qëndrimet e tij politike dhe lidhjet me forca të ndryshme apo të kundërta me ideologjinë e Lëvizjes së tij politike. Ai, sidomos kohët e fundit, ka shpallur kundërshtitë dhe ndeshjet e tij edhe me kryeministrin e shtetit shqiptar, Edi Rama, por edhe afërsitë me forca opozitare. Do të ndikojë kjo në marrëdhëniet mes dy shteteve të të njëjtit komb apo do të jenë primare çështjet madhore? Do të ketë të njëjtën rritje dhe dega e tij në shtetin shqiptar dhe shefi i ri i qeverisë së Kosovës do të jetë edhe lideri i tyre politik, si ka ndodhur deri tani?

Rrugë të vështirë ka përballë vetes Albin Kurti. Ai po merr drejtimin e qeverisë në një moment të rëndë shumëdimensional, por askush tjetër nuk kishte kohën për të marrë këtë drejtim.

Koha është e Albin Kurtit.  Është koha për të nisur një kapitull të ri në politikën e Kosovës, e cila, do të jetë e vështirë dhe në të cilën, ndëshkimi i së keqes do të ketë vendin e tij të rëndësishëm. Tani, sytë e të gjithëve, brenda e jashtë Kosovës, mbështetës e kundërshtarë, janë drejt tij. Ai ka kohën e tij për të drejtuar Kosovën dhe për të sjellë ndryshimin.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror Zgjedhor tashmë ka përfunduar numërimin e votave në…