
Albinin e rrëzoi barra e vetë!
Shkruan: Halil Selimi
Sa ishte në fazën e premtimeve dhe zotimeve pa mbulesë e pa përgjegjësi, ishte kundër “shtetit ahtisarian”, siç e quante shtetin e Kosovës; kundër “flamuri lara-lara”; kundër himnit pa tekst; kundër mallrave serbe; kundër negociatave; kundër demarkacionit; kundër marrëveshjeve me Serbinë; kundër “zajednicës”; kundër Listës serbe; kundër korrupsionit; kundër nepotizmit; kundër tenderomanisë; kundër “kapjes së shtetit”; kundër presidentit; kundër kushtetutës; kundër pazareve politike; kundër, kundër… kundër të gjithëve!?
Ndërkohë, ishte vetëm për bashkim kombëtar dhe Vetëvendosje!
Vërtetë aq barrë të rëndë i ngarkoi vetes, sa nuk do ta përballonte asnjë pushtet! Ky edhe ishte qëllimi i tij, si opozitar: që të rrëzonte çdo pushtet, për t’u ngritur vetë, pastaj. Por, kur e provoi pushtetin, sado që zotimet më të rëndësishme i la rrugës, prapë kishte pesha të rënda për këllqet e një kryeministri! Sado i fortë që deshi të tregohej, nuk qëndroi dot në këmbë as për 50 ditë dhe u përmbys! Çka ishte e rëndë, ishte! Pesha kaq të rënda mund t’i bartte mbi kurriz, vetëm Amerikë po të ishte?! Prandaj, si duket, thënë më së buti, e xhelozon kaq shumë administratën amerikane dhe veçmas z. Grenell!
Përkundër gjithë këtyre zotimeve të pashembullta, do mbahet mend vetëm si qeveri e shkarkim-ngarkimimeve! Shkarko e ngarko ministra e zëvendësa; shkarko e ngarko borde; shkarko e ngarko negociatorë; shkarko e ngarko mallra serbe etj.
Do të kujtohet edhe për zbritjen e pagës së vetë, anise kjo zbritje ishte bërë paraprakisht me ligj (ligji për pagat, që po pret dritën jeshile në Gjykatën Kushtetuese); do të kujtohet edhe për zhbërjen e koordinatorëve; për heqjen e beleshpagave të ish-pushtetarëve; për të vetmin partneritet me Vjosën; por edhe për luftën mediale pandemike, e cila më shumë se shëndetësore është luftë politike!
Dhe, si përfundim, do thosha me gjuhën e popullit: ruajmë zot nga vetvetja (miku), se nga të tjerët (armiqtë) ruhem vetë!
Prishtinë, 22 prill 2020