Alergjitë, astma dhe bronkiti

30 maj 2021 | 16:47

Besim Morina 

Astma dhe bronkiti janë sëmundje afatgjata që karakterizohen me pezmatim dhe ngushtim të rrugëve të ajrit, me ҫ`rast vështirësohet marrja dhe nxjerrja e frymës nga mushkëritë.

I prek të gjitha moshat, edhe pse më shpesh fillon në fëmijëri (astma apo bronkiti obstruktiv i fëmijërisë), por ajo për herë të parë mund të paraqitet edhe te të rriturit.

Momentalisht nuk ekziston një mjekim i cili e shëron astmën plotësisht, mirëpo ka barna dhe trajtime me të cilat i mbajmë simptomat nën kontroll dhe i parandalojmë shfaqjen e tyre.

Simptomat kryesore të astmës janë: fishkëllimat gjatë frymëmarrjes, frymëzënia (uria për ajër apo mosngopja me ajër), shtrëngimi i gjoksit (apo ndjesia sikur gjoksin e shtrëngon një rrip ose litar i mbështjell rreth tij) dhe kolla e gjatë.

Simptomat mund të keqësohen përnjëherë. Kjo gjendje njihet si sulm astmatik apo përkeqësim i bronkitit.

Astma dhe bronkiti zakonisht trajtohet përmes marrjes së barnave në formë të inhalimit, si inhalatorë me presion (sprej), inhalatorë me pluhur të thatë (me kapsula) apo nebulizatorë (aparat i inhalimit).

Në disa raste të rënda kërkohet të përdoren edhe barnat në formë të tabletave apo ampullave.

Në rast kur shkak i astmës është alergjia atëherë japim barna edhe kundër alergjisë (në formë të tabletave).

Te astma pezmatimi i rrugëve të ajrit i bën ato shumë të ndjeshme ashtu që ato munden që përkohësisht të ngushtohen. Kjo mund të ndodhë vetvetiu apo pas ekspozimit ndaj ndonjë ngacmuesi.

Ngacmuesit më të shpeshtë të astmës janë: alergjenët (si për shembull pluhuri i shtëpisë, qimet e kafshëve apo poleni), tymi, ndotja dhe ajri i ftohtë, ushtrimet apo aktiviteti fizik, infeksionet si ftohja apo gripi, etj.

Simptomat e astmës zakonisht mund të kontrollohen me trajtim. Shumica e personave me astmë zhvillojnë jetë normale dhe aktive, megjithatë disa persona me astmë të rëndë mund të kenë probleme të vazhdueshme.

Në rastin kur dyshojmë për astmë duhet të vizitohemi te mjeku në mënyrë që të kemi një diagnozë të qartë, të marrim trajtimin e duhur për kontrollimin e simptomave dhe parandalimin e tyre, si dhe të këshillohemi si t’i evitojmë shkaktarët e paraqitjes së simptomave të astmës.

(Dr. Besim Morina është Internist-Pulmolog dhe merret me diagnostifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare U-21, Marsel Ismajlgeci dhe Anis…