
Ali Nimanaj shembull i një lideri lokal, trefishojë votën e PDK-së në Istog
Kandidati i PDK-së për kryetar të Istogut, Ali Nimanaj, ka dalë i dyti në këtë komunë pas kandidatit të LDK-së, Ilir Ferati, i cili ka fituar zgjedhjet pa balotazh.
Nimanaj ka fituar 22,11%, nga 93 për qind të votave të numëruara.
Ali Nimanaj ka arritur që ta dyfishojë votën si parti dhe ka trefishuar votën si kandidat për kryetar.
Ai ka theksuar se megjithatë, ky besim i madh ende nuk mjaftoi për t’i dhënë Istogut drejtimin që e meriton.
Nimanaj ka falënderuar secilin qytetar që kanë votuar PDK-në më 12 tetor.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetarë të Istogut!
Përkundër angazhimit katërvjeçar si nënkryetar komune, punës së shkëlqyer të tri drejtorive tona nga radhët e PDK-së, ofertës sonë konkrete për zhvillim dhe listës së përfaqësuesve të përkushtuar për Asamble, vota jonë u dyfishua si parti dhe u trefishua për mua si kandidat për kryetar.
Megjithatë, ky besim i madh ende nuk mjaftoi për t’i dhënë Istogut drejtimin që e meriton.
Dua të falënderoj secilin qytetar që na votoi, që na mbështeti dhe që besoi në punën tonë në një garë të pabarabartë, por me dinjitet dhe transparencë.
Faleminderit nga zemra strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës në çdo nivel dhe aktivistëve tanë të palodhshëm për punën, përkushtimin dhe besimin gjatë gjithë kësaj fushate.
Fituesit të zgjedhjeve, z. Ilir Ferati, i uroj suksese në mandatin e ri dhe i bëj thirrje t’i mbajë premtimet për të mirën e komunës dhe të qytetarëve.
Unë, si kryetar i PDK-së në Istog, do të vazhdoj angazhimin tim politik me të njëjtin përkushtim, me bindjen se puna dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk mbaron me zgjedhjet.
Sepse dashuria për Istogun është më e fortë se çdo rezultat!