
Alketa Imeri i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës
Kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook për aderimin e studentes Alketa Imeri në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Alketa Imeri është absolvente në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin e Gjuhës Angleze. Ajo vjen nga një familje e nderuar nga rajoni i Drenicës dhe aktualisht jeton në Klinë, ku familja e saj zhvillon aktivitete biznesore. E njohur për angazhimin e saj në aktivitete rinore dhe përkushtimin ndaj studimeve, Alketa ka vendosur t’i bashkohet PDK-së me dëshirën për të kontribuar në fuqizimin e të rinjve dhe për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes politike.
Në deklaratën e saj, Alketa është shprehur: “Gjithmonë i kam besuar udhëheqjes së PDK-së në Klinë. I jam gëzuar çdo projekti të realizuar në të mirë të qytetarëve, dhe të tillë gjatë qeverisjes së PDK-së ka pasur shumë. Besoj se rinia ka potencialin për të ndryshuar shoqërinë tonë për të mirë dhe, përmes PDK-së, dua të jap kontributin tim në këtë drejtim.”
Sokol Bashota e ka cilësuar këtë aderim si një hap të rëndësishëm në fuqizimin e rolit të të rinjve dhe grave në politikë, duke shprehur mirëseardhjen dhe mbështetjen për anëtaren më të re të partisë në Klinë.