Alush Sadikaj i pyet istogasit: Pse nuk e votuat Shefqet Gjocajn për deputet?
Shkruan: Alush Sadikaj
Bashkëqytetarë të mi Istogas,
Kisha 11 vjet pa postuar asgjë në rrjetet sociale. Këto zgjedhje më shtynë të shkruaj këtë reagim, duke marrë parasysh rezultatet e votimit në komunën tonë. Kjo nuk është hera e parë që istogasit i dënojnë njerëzit e tyre; edhe para 11 vitesh, PDK votoi në mënyrë të ngjashme për kandidatin e vet.
Në këtë shkrim do ndalëm vetëm të njëri kandidat për deputet: Shefqet Gjocaj, i cili garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, parti që mori numrin më të madh të votave në komunën tonë (mbi 9000 sosh, nëse llogaritim edhe votimin me postë) ndërkaq z. Gjocaj mori vetëm 1/3 e votave nga votuesit istogas të LVV-së. Nisur nga kjo edhe gjasat e tij për tu bërë deputet pothuajse u shuan në bazë.
Në këto zgjedhje nuk humbi një kandidat — humbi parimi i meritës dhe mbizotëroi inati i ulët.
Shefqeti është një personalitet me përgatitje superiore në arkitekturë dhe dramaturgji. Ai është skenaristi i parë shqiptar që ka fituar në një festival prestigjioz ndërkombëtar të filmit, siç është Sundance Film Festival, që është festivali më i madh botëror i filmit të pavarur.
Nuk hidhërohem nga të rinjtë të moshës 18–21 vjeç, sepse ndoshta edhe mund të mos e njohin z. Shefqet Gjocaj, por të gjithë të tjerët nuk do të duhej ta harronin sakrificën e tij gjatë viteve 1990–1999 për komunën tonë: Angazhimin në arsim, në kulturë, në gazetari dhe në sport. Pastaj angazhimin i tij si reporter lufte në momentet më të vështira që kemi kaluar;
angazhimin për rindërtimin e shtëpive pas luftës dhe së fundmi drejtimi për 8 vite i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Shota, të cilin arriti ta reformoj dhe ta afirmoj në botë.
Andaj, duke marrë parasysh të gjitha këto, përveç dy të parëve në listën e VV-së, Shefqeti minimalisht do të duhej të ishte i treti në listë, ndërsa si kandidat i Istogut do të duhej të merrte vota të barabarta me z. Kurti.
Mendoj se, si qytetarë të Istogut, kësaj radhe keni dështuar në tërësi, duke mos i dhënë mundësi kandidatit tuaj, i cili do të ishte absolutisht zëri i juaj në institucionet e Kosovës, pa të cilin zë keni mbetur me votimin tuaj të gabuar.
Nuk kam asgjë personale me asnjërin nga ata që janë votuar më lart se Shefqeti, por asnjëri prej tyre nuk do ta përmendë Istogun ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç nuk e kanë përmendur kurrë.
Kur puna e ndershme, përkushtimi dhe integriteti nuk shpërblehen, atëherë faji nuk është vetëm politik, por qytetar. Sepse vota është përgjegjësi, jo zakon; zgjedhje, jo rastësi.



