
Ambasada britanike: Emisari Peach është në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka bërë me dije se emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, i cili sot ka vizituar Kosovën, është në mbështetje të dialogut Kosovës-Serbi.
Sipas ambasadës, diplomati britanik punon për ta promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan.
“Me shumë kënaqësi mirëpresim Sir Stuart Peach, të dërguarin Special të Kryeministrit në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë për vizitën e parë në rolin e tij të ri. Sot në mëngjes ai pati takime me Presidenten dhe Kryeministrin dhe po takon edhe përfaqësues të partive të ndryshme politike për t’i dëgjuar prioritetet dhe shqetësimet e tyre nga dora e parë”, është thënë në njoftimin e ambasadës.
Emisari britanik, sipas ambasadës, inkurajon zgjidhjen e çështjes së trashëgimisë siç janë krimet e luftës dhe personat e pagjetur.
“Sir Stuart po punon për ta promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon. Prioritetet e tij përfshijnë punën me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE, inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëgimisë siç janë krimet e luftës dhe personat e pagjetur dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e ambasadës.