
Ambasada e ShBA-së kërkon që të respektohet afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë ka kërkuar nga partitë politikë që të respektohet afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, i cili është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një përgjigje për “RTV21”, ambasada amerikane ka vlerësuar se ky afat po ofron.
“Vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rekomanduar që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga vendimi i saj, dhe kjo datë po afrohet”, ka vlerësuar ambasada e ShBA-së.
Kjo ambasadë ka theksuar konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e lidershipit politik.
“Është përgjegjësi e liderëve politikë që ta konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë një qeveri stabile, në përputhje me Kushtetutën”, është thënë në këtë përgjigje.
Sipas ambasadës, ShBA-ja pret që të bashkëpunojë me qeverinë e re.
“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur për një kohë të gjatë zhvillimin demokratik të Kosovës dhe presin të punojnë me qeverinë e ardhshme për të avancuar stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien rajonale”, ka vlerësuar ambasada e ShBA-së.