
Ambasada gjermane bën thirrje për përmbajtje nga sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje të martën aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqësorin në përgjithësi, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kritikuar gjykatën më të lartë për vendimet e saj të fundit.
Në një njoftim për medie, Ambasada gjermane ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është gur themel i sundimit të ligjit. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësorit në tërësi, si dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale”, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë.
Reagimi i Gjermanisë vjen disa ditë pasi Kurti, i cili është lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nënkryetari i kësaj lëvizje, Glauk Konjufca, kanë kritikuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti ka kritikuar Kushtetuesen për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit. “Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, ka thënë Kurti.
Kurti po fliste për vendimin më të fundit të Kushtetueses, e cila javën e kaluar vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata ka vendosur këtë masë – që do të jetë në fuqi më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha nga LV-ja, i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.
Të hënën, Gjykata Kushtetuese ka thënë se ndihet e shqetësuar me “deklarimet e pamatura” të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë.
Përmes një reagimi, Kushtetuesja ka thënë se pavarësia dhe paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.
Po ashtu të hënën, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka bërë thirrje që të respektohet pavarësia e gjykatësve “nga të gjithë, në çdo kohë”, duke theksuar se gjyqësori i pavarur është gur themel i sundimit të ligjit.
“Ndërhyrja e padrejtë përmes sulmeve personale që shënjestrojnë gjykatësit dhe prokurorët është gjithmonë e papranueshme”, ka shkruar ai në platformën “X”.