Ambasadori i Francës bën homazhe në Reçak, shpreh mbështetjen për Kosovën
15 janar 2026
| 15:37
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka vendosur lule në Reçak në nderim të 45 civilëve të pafajshëm të vrarë 27 vjet më parë.
“Këtu, si kudo tjetër, Franca lufton kundër pandëshkueshmërisë”, është thënë në postimin e Ambasadës së Francës në “Facebook”.
Ndërkohë, ambasadori Guerot në një postim në platformën “X” ka shkruar për ceremoninë e homazheve në varrezat e Reçakut dhe për progresin e Kosovës nga paslufta.
“Ceremoni prekëse në Reçak, ku autoritetet dhe qytetarët e Kosovës kujtojnë masakrën e tmerrshme të vitit 1999. Është mahnitëse të shihet se sa është zhvilluar Kosova që nga atëherë. Franca është e gatshme të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Guerot.




