Ambasadorja amerikane: Bideni e bëri të qartë, do t’i ndëshkojmë të gjithë ata që destabilizojnë Ballkanin

17 qershor 2021 | 14:02

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Shqipëri, Yuri Kim, ka komentuar urdhrin e ri të presidentit Joe Biden, që t’u ndalohet hyrja në ShBA, të gjithë atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë të OSBE-së me temën “Përpjekje të përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri”, ambasadorja Kim ka thënë se urdhri i Bidenit synon që të kërkojë llogari ndaj atyre që shkelin të drejtat e njeriut.

“Siç e dini, presidenti Biden dhe sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë një kërcënim jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjithë botën. Dhe ata i kanë udhëzuar të gjitha agjencitë qeveritarë amerikane të mbrojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre prej dëmeve që shkaktojnë krimet e rënda dhe abuzimet me të drejtat e njeriut, siç është trafikimi i qenieve njerëzore dhe ndikimi i tij mbi sigurinë tonë kolektive”, ka thënë ajo.

Më tutje, ambasadorja Kim ka thënë se destabilizuesit përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të ShBA-së.

“Nëse përfshiheni në trafikimin e qenieve njerëzore, ne mund t’ju ndalojmë hyrjen në SHBA duke pezulluar vizën tuaj amerikane. Nëse e keni tashmë atë vizë, nuk do t’iu hyjë në punë për asgjë. Nëse trafikoni qenie njerëzore, ShBA do të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj nëse ka ndonjë lidhje me ShBA”, është shprehur ambasadorja amerikane në Tiranë.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Luigi Soreca, i cili ka thënë se BE-ja për luftimin e kësaj dukurie negative do t’ju ndihmojë edhe vendeve joanëtare siç është Shqipëria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata joqeveritare “Voice of Roma Ashkali and Egyptians” të enjten…