
Amerika në Kosovë
Prof. Agim R. ZOGAJ
Kosova në prioritet e vizionit të presidentit Trump
Lufta në Ukrainë i ka dhënë fund Rendit të Ri Botëror, të krijuar pas rënies së Murit të Berlinit. Bota, në vazhdimësi po rrëshqet kah krizat, luftërat e reja, të cilat, paraqesin kërcënim të rrezikshëm për paqen anë e mbanë botës. Aleancat diplomatike dhe veçmas ushtarake midis Rusisë, Bjellorusisi, Kinës, Iranit, Indisë e Koresë së Veriut nuk po i kundërvihen vetëm ShBA-së, por drejtpërdrejt Perëndimit. BE-ja ndërsa, në mungesë të unitetit të saj të plotë, nuk po dëshmon se ka fuqi të përballet me këto rreziqe. I vetmi shtet, i vetmi popull i cili, po vazhdon t’i dalë përballë, këtij kërcënimi, është populli amerikan, shteti amerikan, aleati ynë historik. Është fat i madh për kombin shqiptar, veçmas për Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës që, në këto përplasjes midis diktaturave, ideologjive të pushtimeve, nisur nga Rusia, dhe aleatët e saj të rinj, Republika e Kosovës është, fuqishëm, në zonën e gjeopolitikës amerikane.
Të jesh ndërsa, në sferën e gjeopolitikës amerikane, përkatësisht, në vizionin e presidentit Trump, siç është kombi ynë, paraqet një epërsi të jashtëzakonshme në botën e cila, gjithnjë e më tepër po kanoset edhe nga përdorimi i arsenalit bërthamor. Ndërsa, çështja e sigurisë nacionale, e integritetit territorial të shtetit tonë, Republikës së Kosovës, bëhet edhe më imediate, më prioritet kombëtar, kur kemi parasysh politikën agresore të shtetit serb kundrejt Kosovës dhe ndërhyrjet, hibride të Rusisë në Evropën Juglindore.
Ditë më parë u bë e ditur se, në mesin e Programeve të Pentagonit është edhe iniciativa në rrafshin e sigurisë, që përfshin Republikën e Kosovës, Shqipërinë dhe Bullgarinë. Administrata amerikane po planifikon të zbatojë Programet afatgjate të Sigurisë për ndihmë Evropës, duke përfshirë edhe përforcimin e ndihmave amerikane për Krahun Lindor të kontinentit nga sulmi potencial i Rusisë. Ditë më parë, një ish zyrtar i lartë i NATO-së, tha se, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, pra, pas fitores eventuale të Rusisë, Putini mund të sulmojë edhe ndonjë shtet anëtar të NATO-së. Këto deklarata, por edhe planet, programet e Pentagonit dëshmojnë se, Trumpi me të drejtë po kërkon që, Evropa të merr më shumë detyrime, përgjegjësi për mbrojtjen e vetë, pra, duke ndërmarrë më shumë iniciativa, veprime konkrete në planin e mbrojtjes. Kosova, në planin e politikës amerikane, si zonë e sferës së interesit dhe e gjeopolitikës së ShBA, është e privilegjuar si kurrnjëherë më parë. Marrëveshjet më të reja, në fushën e mbrojtjes, janë dëshmi e fuqishme, se, jemi në Projektet e Sigurisë të Pentagonit për rajonin dhe territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Programet e Sigurisë të Pentagonit edhe në Kosovë e Shqipëri
Iniciativa e udhëhequr nga Korpusi i Inxhenierisë të ushtrisë amerikane ka për objektiv zhvillimin, forcimin e infrastrukturës moderne për trupat amerikane dhe partnerët e saj në Evropën Juglindore, Kosovën, Shqipërinë, Bullgarinë dhe vendet tjera. Ky projekt, drejtpërdrejt, në zhvillimet dramatike për sigurinë e rajonit, reflekton angazhimin e fuqishëm të ShBA-së në gjeopolitikën amerikane, sa i përket Evropës Juglindore dhe më gjerë. Projekti, i shndërruar tani më, në Kontratë të posaçme do të përkrah ndërtimin dhe mirëvendosjen e bazave të ushtrisë amerikane, pra, jo vetëm praninë ushtarake të ShBA-së, por edhe veprimtarinë e agjencive të tjera amerikane në rajon, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë, anëtare e NATO-së. Ky Projekt i Pentagonit, sa i përket shtetit tonë, Republikës së Kosovës është me rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në rrafshin e sigurisë dhe integritetit territorial, sepse, ndikon në forcimin e infrastrukturës sonë ushtarake, ndërtimin e objekteve të reja të logjistikës, fusha stërvitore etj. Mbi të gjitha, dhe më e rëndësishmja, ShBA-ja, përmes këtij Projekti të Korpusi të Inxhinierive të ushtrisë amerikane e ka përfshirë Kosovën, territorin e shtetit tonë, si zonë të sigurt të gjeopolitikës amerikane, në radhën e shteteve me investime të drejtpërdrejta ushtarake të aleatit tonë të përjetshëm, Amerikës. Pra, përmes këtij Projekti të ushtrisë amerikane, Amerika, miku i ynë, shteti i cili, krah luftës së UÇK-së, është më meritori për çlirimin nga sundimi i Serbisë, për themelimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, është mik i përhershëm shtëpie në Kosovë! Institucionet shtetërore të Kosovës, në të gjitha nivelet, duhet t’i konkretizojnë programet e bashkëpunimit me institucionet amerikane, duke filluar nga Qeveria amerikane, Pentagoni, Ministria e sapoformuar e Luftës, dhe institucionet tjera ekonomike, financiare, kulturore, akademike. Gjithsesi, presidenti Trump e ka vizionin më shpresëdhënës, sistemin e vlerave amerikane, për forcimin e marrëdhënieve, të aleancës gjithëpërfshirëse, ShBA – Kosovë dhe Shqipëri! Kosova dhe Shqipëria do ta mbështesim çdo iniciativë që, Presidenti Trump ta merr Çmimin Nobël. USA, always, welcome to Republic of Kosova!