Amir Rrahmani, mbrojtësi më i mirë i Serie A dhe i katërti në botë

02 qershor 2025 | 11:18

Amir Rrahmani është shpallur mbrojtësi më i mirë i Serie A sipas renditjes së fundit të publikuar nga CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive), ndërsa i katërti në botë.

Ky institut ka përpiluar një listë me 20 lojtarët më influentë në botë për secilin rol, duke analizuar 60 kampionate në të gjithë globin.

Përzgjedhja e lojtarëve është bërë duke u mbështetur në të dhëna të detajuara të partnerëve të observatorit dhe duke marrë parasysh edhe minutat e luajtura. Gjashtë aspektet kryesore të lojës që merren në konsideratë janë: duelet ajrore, mbrojtja në tokë, shpërndarja e pasimeve, avancimi me topin, krijimi i rasteve për gol dhe finalizimi.

Në listën e mbrojtësve më të mirë, në krye qëndron ylli i Liverpoolit, Virgil van Dijk. Podiumi plotësohet nga Aurelien Tchouameni i Real Madridit, që shpesh luan edhe si mesfushor, dhe William Saliba i Arsenalit.

Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës dhe mbrojtësi i Napolit, renditet i katërti në këtë klasifikim, një super vlerësim për lojën e prishtinasit.

Ndërkohë, vendin e tetë e zë Alessandro Bastoni i Interit, kurse në vendin e 17-të është Berat Gjimshiti, shtylla e mbrojtjes së Atalantës.

Ky vlerësim i CIES konfirmon nivelin e lartë të mbrojtësve shqiptarë, duke e vendosur Rrahmanin mes më të mirëve në botë dhe duke nderuar gjithashtu kontributin e Gjimshitit te Atalanta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu…