ANALIZË 5 / Reflektimi i zhvillimeve ndërkombëtare në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës

20 shtator 2019 | 11:37

Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari

4.3. Negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve

Kosova dhe Serbia filluan një proces negocimi për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në mars të vitit 2011, vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe nëntë muaj pas shpalljes së Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përmes të cilit vlerësohej se me rastin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk është shkelur asnjë akt i të drejtës ndërkombëtare (ICJ 2010).

Pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Rezoluta 64/298 e 9 shtatorit 2010. Kjo Rezolutë merrte në konsideratë “opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pajtueshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare” dhe përshëndeste “gatishmërinë e Bashkimit Evropian, për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve” (Generalversammlung der Vereinten Nationen 2010.)

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara shërbeu si bazë për politikën e jashtme të BE për të nisur një dialog teknik midis Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët pranuan kërkesat e OKB-së dhe BE-së. Kështu, raundi i parë i bisedimeve mes delegacioneve të Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës u mbajt më 8 mars 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Nga marsi i vitit 2011 u mbajtën disa raunde të bisedimeve, në të cilat u diskutuan fillimisht çështje teknike të tilla si liria e lëvizjes (njohja e pasaportave dhe targa), dokumentet e ofiçarisë, telekomunikacioni, energjia, transporti dhe çështjet e tregtisë. Deri në vitin 2012 palët u pajtuan, përmes të ashtuquajturave “konkluzione kontraktuale”, për zgjidhjen e çështjeve në vijim: njohjen reciproke të diplomave universitare, e drejta për të udhëtuar përmes Serbisë me targa të Kosovës, e drejta për lëvizjen e lirë të shtetasve kosovarë me letërnjoftimin e Kosovës, menaxhimi i integruar i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë (IBM – Integrated Border Management), njohja e vulave doganore të Kosovës, dorëzimi i të dhënave të ofiçarisë dhe të dhënave të pronës nga Republike e Serbisë te institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, pjesëmarrja dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizatat rajonale nën emrin e saj dhe me fusnotën: “Kosova * – Ky përcaktim është pa paragjykim për statusin e Kosovës dhe është në përputhje me Rezolutën e OKB-së 1244 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) mbi shpalljen e  pavarësisë së Kosovës” (European Union 2012).

Si rezultat i dialogut, Serbisë ju dha statusi i kandidatit në shkurt të vitit 2012, kurse Kosova Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit pas plotësimit të kushteve të nevojshme.

Dialogu teknik gradualisht u shndërrua në dialog politik. Qëllim i procesit negociues u shpall normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve, si parakusht për pranimin e  të dy vendeve në BE. Dialogu politik rezultoi me Marrëveshjen e Brukselit, e nënshkruar në mes të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, më 19 prill 2013, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme z. Catherine Ashton (BBC 2013). Procesi u mbështet edhe nga ShBA, përmes zëvendëssekretarit të shtetit Philip Reeker.

Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013 u kompozua në vetëm dy faqe dhe 15 nene. Sipas kësaj marrëveshjeje do të krijohej Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe përmes statutit, të bazuar mbi statutin e komunave ekzistuese, me garanci legale, në akord me kompetencat që i garanton Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjet e Kosovës; komunave ju garantohej e drejta për të bashkëpunuar në ushtrimin e kompetencave të tyre përmes Asociacionit në mënyrë kolektive në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural; atyre mund t’ju delegoheshin edhe kompetenca shtesë nga institucionet qendrore; Asociacioni do të luante një rol përfaqësues te institucionet qendrore dhe i garantohej një vend në Këshillin Konsultativ për Komunitete etj. Si rezultat i Marrëveshjes u mbajtën zgjedhjet komunale në nëntor 2013, në katër komunat veriore të Kosovës (Komuna e Mitrovicës veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi), me lehtësimin e OSBE-së në pajtim me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

Marrëveshja e Brukselit garantonte se të gjitha strukturat paralele të policisë në veri të Kosovës do të integroheshin në Policinë e Kosovës dhe do të paguheshin vetëm prej saj, do të krijohej një Komandë Regjionale për komunat e veriut (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi), komandant i të cilës do të ishte një serb. Ky proces edhe pse në formë ka përfunduar, në përmbajtje strukturat paralele e kanë ruajtur ekzistencën e tyre dhe aktivizohen në momente të caktuara krize.

Sipas Marrëveshjes së 19 prillit 2013 të gjitha gjykatat do të integroheshin dhe operonin brenda kuadrit ligjor të Kosovës, Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themeloj një kolegj të përbërë nga një shumicë e gjyqtarëve serbë të Kosovës dhe do të qëndrojë në Mitrovicën veriore. Në nëntor të vitit 2017, ka filluar së funksionari Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë. Këtë divizion e përbejnë pesë gjyqtarë serb dhe dy shqiptarë, të cilët ndihmohen nga një staf prej 11 zyrtarësh (Gjykata e Apelit 2019).

Palët po ashtu patën rënë dakord që nuk do të bllokojnë ose inkurajojnë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre përkatëse drejt BE. Si rezultat i Marrëveshjes Kosova fitoi statusin e anëtarit të plotë në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Jug Lindore (SEECP). Megjithatë, Serbia në shumë raste ka penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe iniciativa rajonale dhe evropiane.

Marrëveshja e 19 prillit 2019 u pasua nga Marrëveshja e drejtësisë e shkurtit të vitit 2015, e ndjekur nga marrëveshjet për operatorët e energjisë dhe telekomit, sipas të cilit Kosova do të merrte prefiksin +383. Më 25 gusht 2015, u dakordua edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komuniteteve Serbe, e cila derivonte nga Marrëveshja e Brukselit.

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi Marrëveshjen si marrëveshje ndërkombëtare më 27 qershor 2013. Kuvendi i Serbisë nuk e ratifikoi atë si një marrëveshje ndërkombëtare, por si një vendim për pranimin e “Raportit të procesit të Dialogut politik dhe teknik me Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” (Narodna Skupština Republike Srbije 2013). Një iniciativë ligjore kundër Marrëveshjes nuk kaloi në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Gjykata Kushtetuese në Beograd nuk ju përgjigj pyetjes për kushtetutshmërinë e marrëveshjes, duke deklaruar në dhjetor 2014 se çështja e ngritur është një çështje politike dhe jo ligjore.

Nga këndvështrimi politik delegacioni i Kosovës pranoi kompromise fatale. Përmes fusnotës, Kosova ka pranuar me nënshkrimin e vet, që nga disa shtete të mos konsiderohet shtet. Kosova, sipas fusnotës, për disa mund të jetë shtet dhe për të tjerat jo. Përfaqësuesit e Kosovës nuk do të duhej të pranonin këtë kompromis, që ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetësinë. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, po ashtu e shpalli jokushtetuese Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës 2015). Përmes këtij akti juridik, Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Kosovën nga ndarja faktike në vija etnike.

Një moment tjetër mjaft i dëmshëm është edhe vënia në diskutim e territorit dhe kufijve të Republikës së Kosovës nga presidenti Thaçi. Territori është atribut i shtetësisë. Vënia në diskutim e tij është e dëmshme nga këndvështrimi i politikës së jashtme.

Çfarë duhet bërë? Taksa 100 për qind, e ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është një dëshmi konkrete se edhe Kosova ka mjete presioni kundër Serbisë. Negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve mund të vazhdojnë, vetëm nën një parakusht themelor: principin e reciprocitetit. Republika e Kosovës duhet të ndjek principin e reciprocitetit, si një nga principet bazë të marrëdhënieve ndërshtetërore. Përmes këtij principi mund të arsyetohen edhe negociatat mbi baza të barabarta. Në të kundërtën, shtyrja e një marrëveshjeje është më e mirë, se sa një kompromis, që më shumë shkakton probleme se sa i zgjidh ato.

Si përfundim, mund të konstatojmë se, në kontekstin aktual ndërkombëtar, subjektiviteti shtetëror i Kosovës nuk mund të rrezikohet, por do të vazhdojë të sfidohet. Politika e jashtme e Republikës së Kosovës duhet të tregohet e vëmendshme në ruajtjen e orientimit properëndimor, ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve miqësore e të  veçanta me ShBA, rritjen e angazhimeve në procesin e integrimit në BE dhe NATO, rritjen e prezencës diplomatike në të gjitha pjesët e globit dhe investime më të mëdha kadrovike, financiare dhe diplomatike në procesin e njohjes së Republikës së Kosovës. Dialogu me Serbinë mund të vazhdojë vetëm mbi parimin e barazisë dhe në respekt të principit të reciprocitetit. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Libri me poezi “Ëndërrime fëmijërore” i nxënësve të Shkollës Fillore…