
Ancelotti: Çdo fillim e ka edhe fundin, Brazili një sfidë e madhe
Të martën ishte një pritje e madhe në Valdebebas për konferencën për shtyp të Carlo Ancelottit. Trajneri italian, nga 26 maji do të jetë selektor i ri i Kombëtares së Brazilit, ndërsa pa dyshim se kjo ishte tema kryesore e ditës.
“Ndjesia ime është se në moshën 66 vjeçare do të jem trajner i Brazilit. Është një sfidë e madhe, por jam ende trajner i Realit dhe dua ta mbyll mirë këtë pjesë të fundit të kësaj aventure fantastike. Duhet të mendoj për ditët që më kanë mbetur këtu, për respekt që kam për këtë skuadër dhe për tifozët e saj. Jam i përqendruar në periudhën e fundit të kësaj avanture spektakolare”, ka thënë trajneri italian.
“Jam mjaft i lumtur për përvojën e re me Brazilin, por nuk dua të flas më shumë këtu, sepse e kam fanellën e Madridit deri më 25 maj dhe kam respekt të madh për këtë klub. Dua ta respektoj deri në ditën e fundit. Doja ta fitoja kampionatin, Ligën e Kampionëve, por shkoi kështu. Sidoqoftë, jam prapë i lumtur”, ka shtuar Ancelotti. “Futbolli, njëjtë si jeta, është një aventurë që fillon dhe mbaron. E kam menduar gjithmonë se një ditë do të përfundojë gjithçka. Një periudhë e bukur po përfundon, jam zbavitur shumë. Por, si të gjitha gjërat e jetës, vjen një moment si ky. Nuk kam pasur kurrë probleme me këtë klub, është një klub që e kam në zemër dhe që do ta mbaj gjithmonë brenda meje edhe kur të përfundojë kjo aventurë. Po merr fund, pas disa vitesh të cilët i kemi kaluar duke fituar shumë trofe, me kujtime fantastike që do të më ndjekin gjatë tërë jetës”, ka shtuar Ancelotti, i cili ka fituar 11 trofe me “Merengues” në dy eksperiencat që i pati në Madrid me një periudhë katërvjeçare.
“Nëse në ditën kur kam ardhur dikush do më thoshte se do t’i fitoja 11 trofe për 4 vjet, do ta nënshkruaja këtë me gjak. Ky sezon nuk shkoi mirë për shumë arsye. Por, ishte një periudhë e paharrueshme. E kam arritur maksimumin që mund ta nxirrja nga vetja ime. Titujt flasin vetë. Mijëra falënderime për këtë klub, do të bëj tifo për Realin për tërë jetën time. Po merr fund një periudhë spektakolare: nuk e kisha menduar kurrë se do ta drejtoja Realin për gjashtë vjet dhe kjo ndodhi”, ka përfunduar Ancelotti.