Apel për bashkëpërgjegjësi në interes të shtetit

08 maj 2025 | 18:53

Shkruan: Hisen Berisha

Partitë parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, veçanërisht ato që mbajnë mbi supe përgjegjësinë historike të ndërtimit të shtetit, kanë hyrë në një moment kritik. Nuk është koha për inate, as për kalkulime të vogla elektorale. Është koha për t’u ngritur mbi veten dhe për të bërë “Dance in Politics” – manovrime të mençura, të kujdesshme dhe strategjike, jo për t’iu nënshtruar arrogancës politike të një autokracie populiste, por për të mbrojtur vetë ekzistencën e shtetit.

Refuzimi për të bashkëpunuar për hir të Kosovës, i ngjan më shumë një vetëflijimi institucional se sa qëndrimit politik. Demokracia nuk është vetëm të jesh kundër pushtetit, por të dish kur të ndërhysh për të shpëtuar rendin kushtetues dhe për të kthyer funksionalitetin e institucioneve. Kosova është në krizë, dhe heshtja apo ngujimi në pozita formale është bashkëfajësi.

Shembujt nuk mungojnë. Në SHBA, në zemër të demokracisë botërore, Presidenti Biden, i quajtur nga kundërshtari i tij z.Trump – “stupid Joe” apo “sleepy Joe”, – tregoi pjekuri politike dhe qytetare, ai i zgjati dorën kundërshtarit të tij të mëparshëm kur i fitoi zgjedhjet.

Refleksi demokratik nuk buron nga epitetet, por nga sjellja politike e pjekur që mbështet shtetin dhe interesin publik.

Pra, zgjedhja e Kryekuvendarit dhe ndërtimi i qeverisë është proces thellësisht institucional, i kalibruar në funksion të qytetarëve e jo të tekeve personale.

Çfarë po bëjnë partitë parlamentare të Kosovës përballë një kolapsi të qartë institucional?
Si e justifikojnë amullinë, pasivitetin dhe destruktivitetin e tyre përballë degradimit të shtetit, përçarjes së shoqërisë dhe izolimit diplomatik?

Koha është tani. Të ndërmarrin veprime reflektive, të futen në lojë strategjike, të përdorin taktika diplomatike në përputhje me interesin shtetëror dhe pritjet e aleatëve tanë strategjikë – SHBA, BE dhe NATO – dhe të mos lejojnë që Kosova të shndërrohet në eksperiment të një autokracie me legjitimitet të rrënuar.

Ky nuk është një apel për bashkëqeverisje, por për bashkëpërgjegjësi.

Koha është tani. Të bëjnë politikë jo si rivalë, por si bashkëthemelues të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osnani, tashmë ka shprehë…