Apeli liron nga aktakuza për korrupsion ish-kryetarin e Malishevës

10 gusht 2022 | 17:05

Me aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj është liruar nga akuza për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lajmin e ka bërë me dije kjo gjykatë.

Ndryshe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 14 prillit 2022, Begaj ishte shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ishte gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit dhe e ka ndryshuar aktgjykimin dënues, me arsyetimin se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë nuk kanë qenë të drejta, me rastin e konstatimit të përgjegjësisë penale të të akuzuarit, për faktin se nuk është vërtetuar dashja apo qëllimi i të akuzuarit për të kryer veprën penale, që nënkupton se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale, për të cilën akuzohej.

Sipas Kolegjit të Apelit, jo çdo shkelje përkatësisht çdo tejkalim apo çdo mos përmbushje e detyrave zyrtare konsumon veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit, ngase në mungesë të dashjes, shkeljet e tilla mbesin në kategorinë e shkeljeve administrative.

Më tutje, sipas vendimit të Apelit është thënë se në këtë kontekst, veprimet në shkelje të detyrës zyrtare duhet të manifestohen përmes dashjes së drejtpërdrejt të të akuzuarit, ndërsa përgjegjësia penale duhet të ndërlidhet me qëllimin e kryerësit, i cili qëllim duhet të manifestohet përmes veprimeve, respektivisht të vijë deri te manifestimi i qëllimit për përfitim për vete apo tjetrin apo dëmtim të personit tjetër, qëndrim ky i konsoliduar edhe nga praktika gjyqësore.

Ndërsa nga ana e Gjykatës së Apelit, ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u vlerësua si jo lëndore, për faktin se pretendimet ankimore ishin vetëm në drejtim të sanksionit penal, e që me ndryshimin e aktgjykimit në atë lirues pretendimi është i pa objekt. /BetimipërDrejtësi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi…