Apostolova: Reformat në arsim s’mund të bëhen me hapa të shpejtë

12 mars 2018 | 13:40

Qendra për Arsim e Kosovës (QAK) të hënën ka prezantuar raportin “Zbatimi i Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë në vitin 2017”.

Gjatë prezantimit të këtij raporti kanë qenë të pranishëm edhe shefja e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi si dhe kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi.

Drejtori ekzekutiv i kësaj QAK-ut, Dukagjin Pupovci, gjatë prezantimit të këtij raporti, ka thënë se monitorimi për këtë plan është realizuar gjatë vitit 2017 dhe se është përqendruar në objektivat strategjike të shtatë fushave: pjesëmarrja dhe gjithëpërfshirja, menaxhimi i sistemit arsimor, sigurimi i cilësisë, zhvillimi mësimdhënësve, mësimdhënia dhe të nxënit, arsimi dhe aftësimi profesional dhe arsimi për të rritur si dhe arsimi i lartë.

“Kosova ka arritur një shkallë të lakmueshme të pjesëmarrjes në arsimin e obligueshëm, si dhe në arsimin e mesëm të lartë, ndërkaq pjesëmarrja në edukimin parashkollor mbetet sfidë për gjithë shoqërinë, kryesisht për shkak të mungesës së institucioneve me kosto të përballueshme. Braktisja e shkollimit është e një shkalle mjaftë të vogël, përveç tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ku kërkohet vëmendje e veçantë. Fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët me talente të veçanta mbeten kategoritë më të margjinalizuara në arsimin parauniversitar”, ka thënë ai.

Ndërsa shefja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka thënë se reformat në arsim nuk mund të bëhen më hapa të shpejtë, por vetëm kur të kalojë një gjeneratë.

“Mendoj se raporti është i dobishëm. Të fillojmë me faktin se ‘Zbatimi i Planit Strategjik për Arsimin’ është baza, korniza përmes së cilës duhet t’i zhvillojmë reformat në sektorin arsimor. Arsimi nuk është reformë e shpejtë. Reformat në arsim jepen kur të kalojë një gjeneratë”, ka thënë Apostolova.

Gjatë fjalës se saj, Apostolova ka komentuar edhe grevën që është mbajtur të hënën në shkollat e Kosovës.

“Sot u njoftova për grevën e SBAShK-ut për kërkesat e tyre për rritjen e pagave. Jam e shqetësuar nga këto veprime të shërbyeseve civilë. Nëse dëshirojmë të kemi ndryshime dhe reformë në arsim atëherë duhet të ketë ndryshim në administratë publike”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, ka thënë se ky plan strategjik ka rëndësi të madhe për arsimin, pasi sipas tij tregon realitetin e sistemit arsimor në vend.

“Ky raport ka një peshë dhe rëndësi të veçantë, pasi na tregon qartë se ku jemi. Ne do të angazhohemi të bëjmë grupe punuese për të gjeturat e këtij raporti, që në vitin 2019 të mos na vijë një raport më të njëjtat probleme. Ju bëj thirrje organizatave dhe të gjithëve që janë të interesuar që të kemi një arsim më të mirë të na bëjnë presion dhe pastaj ne të mund të bëjmë presion dhe tek Qeveria”, ka thënë Bytyqi.

(Arbisa SHEFKIU)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess…