
Arben Gashi: Gjykata Kushtetuese konfirmoi se Avni Dehari ka shkelur vendimin e saj
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me vendim, ku thuhet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Sipas këtij vendimi, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.
Pas këtij vendimi ka reaguar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se ky vendim është një shuplakë për ata që mendojnë se rregullat janë vetëm për të tjerët.
“Kushtetuesja vendosi! Gjykata Kushtetuese konfirmoi se Avni Dehari ka shkelur vendimin e saj. I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë. Deputetët nuk mund të fshihen – duhet të marrin pjesë në votim. Votimi është i hapur – qytetarët kanë të drejtë të shohin se kush dhe si voton. Ky vendim është një shuplakë për ata që mendojnë se rregullat janë vetëm për të tjerët. Demokracia nuk mbahet me lojëra procedurale, por me respektim të ligjit!”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.