Arben Gashi: Në horizont po shihet një pjekuri e re politike, sinjal i mirë për vendin

12 nëntor 2025 | 17:51

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka komentuar situatën politike në vend, duke thënë se realiteti është “i qartë” se qeveria nuk po formohet dhe s’ka as zgjidhje për rreziqe buxhetore. Ai ka deklaruar edhe se, pozicionet e partive politike janë ngurtësuar dhe se Kosova po mbetet në bllokadë.

Gashi ka theksuar se tani është koha për përgjegjësi politike, dhe se ‘’në horizont po shihet një pjekuri e re politike.

“Ky është sinjali më i mirë që vendi mund ta ketë në këtë moment. Zgjedhjet që po vijnë duhet të jenë garë për zgjidhje, jo për pushtet. Duhet të flasim për programe, jo për përçarje. Të debatojmë për zhvillim ekonomik, për heqjen e sanksioneve, për integrimin e Kosovës drejt BE-së”, ka deklaruar ai.

Postimi:

Tani ka mbetur edhe një javë afat në dispozicion të mandatarit të ri për të formuar qeverinë. Por realiteti është i qartë: as qeveri nuk po formohet, as zgjidhje për rreziqet buxhetore nuk po ofrohet.

Pozicionet e palëve politike janë ngurtësuar dhe vendi po mbetet në një bllokadë që po e dëmton çdo ditë më shumë. Është koha për reflektim dhe përgjegjësi politike.

E megjithatë, në horizont po shihet një pjekuri e re politike – një gatishmëri për përgjegjësi dhe guxim për llogaridhënie. Ky është sinjali më i mirë që vendi mund ta ketë në këtë moment.

Zgjedhjet që po vijnë duhet të jenë garë për zgjidhje, jo për pushtet. Duhet të flasim për programe, jo për përçarje.

Të debatojmë për zhvillim ekonomik, për heqjen e sanksioneve, për integrimin e Kosovës drejt BE-së. Të flasim për drejtësi, për sundim të ligjit, për prokurori që vepron dhe gjykata që japin drejtësi të drejtë e të shpejtë.

Të debatojmë për arsim dhe shëndetësi cilësore, për energji të qëndrueshme dhe eksportuese, për ujë të pijshëm dhe rezerva ujore që sigurojnë zhvillim për ekonominë dhe qytetarët tanë.

Kosova ka nevojë për vizionarë, jo përçarës. Për udhëheqës që ndërtojnë, jo që bllokojnë. Për mendim konstruktiv, veprim efikas dhe vizion të qartë për shtetin dhe qytetarin. Koha e armiqësive duhet të përfundojë. Është momenti për bashkëpunim, reflektim dhe veprim – sepse vetëm kështu mund ta çojmë Kosovën përpara, me dinjitet, stabilitet dhe zhvillim të vërtetë. 🇽🇰

Na priftë e mbara. 🙏

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 58-vjeçar ka vdekur ndërsa bashkëshortja e tij është në…