Arbitrazhi dhe ndërmjetësimi, mundësi për bizneset në zgjidhjen e kontesteve

18 mars 2022 | 12:37

Mekanizmat alternativë për zgjidhjen e kontesteve siç janë arbitrazhi dhe ndërmjetësimi përbëjnë një mundësi për bizneset për shkak të efikasitetit dhe përfitimeve të tjera, prandaj duhet inkurajuar përdorimi i tyre në Kosovë.

Rëndësia e shfrytëzimit të përfitimeve të arbitrazhit ishte në fokus të aktivitetit që shënoi edhe përfundimin e Javës së Arbitrazhit të organizuar bashkërisht nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi për Drejtësi Komerciale i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Dorasa Kica-Xhelili, ka thënë se politikbërësit në Kosovë duhet të njoftojnë elektoratin e tyre lidhur me mundësitë alternative të zgjidhjes së konfliktit në Kosovë.

Ajo ka thënë se edhe pse gjyqësori i Kosovës njihet për zvarritjen e rasteve, është e rëndësishme që politikanët të njoftojnë bizneset dhe investitorët potencialë që Kosova ka kapacitete shumë të mëdha të metodave alternative të zgjidhjes së kontesteve.

“Parashikueshmëria e kohëzgjatjes në zgjidhje të kontestit dhe mundësia e zgjedhjes së arbitrave ofron komoditet tek palët që të besojnë se gjykimi është i paanshëm”, ka thënë deputetja Kica-Xhelili, e cila ka elaboruar përfitimet e arbitrazhit.

Chris Thompson, udhëheqës i programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale, ka thënë se bizneset kanë nevojë për metoda të shpejta dhe finale, prandaj si i tillë arbitrazhi mund të jetë alternativë me shumë përfitime për bizneset.

Megjithatë, ai shtoi se arbitrazhi nuk përdorët mjaftueshëm.

Në vazhdim, ai tha se po punohet që bizneset ta njohin këtë metodë si mundësi alternative ndaj sistemit gjyqësor dhe të jenë të vetëdijshëm për avantazhet që i ka kjo alternativë.

Tea Blakaj, këshilltare e jashtme ligjore e kryeministrit të Kosovës, ka thënë se duke qenë se kontestet komerciale që trajtohen në gjykata hasen në zvarritje dhe jo profesionalizëm, arbitrazhi si metodë alternative e zgjidhjes së kontesteve është më i leverdishëm për bizneset.

Tutje, ajo ka shtuar se krijimi i gjykatës komerciale do të shërbejë edhe në fuqizimin e mekanizmave alternative për zgjidhjen e kontesteve.

Gjatë Javës së Arbitrazhit 2022, nga mbi pesëmbëdhjetë profesionistë të arbitrazhit në veçanti dhe të fushës ligjore në përgjithësi, janë trajtuar aspekte të ndryshme të arbitrazhit siç është njohja e aktvendimeve të arbitrazhit, si dhe proceset dhe implikimet e rasteve të arbitrazhit, ndërsa në mënyrë të veçantë është folur edhe për rolin e grave profesioniste në arbitrazh.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i USAID-it për Drejtësi Komerciale do të vazhdojnë me promovimin e përfitimeve të mekanizmave alternativë për zgjidhjen e kontesteve siç janë arbitrazhi dhe ndërmjetësimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shorti i fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve është hedhur…