Ardian Syla tregon për të vërtetën e punësimeve në “Trepçë”

18 shkurt 2020 | 15:15

Kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla,  është deklaruar rreth punësimeve të fundit në këtë ndërmarrje, si dhe protestave që po mbahen në saje të pakënaqësisë të banorëve të zonës së Shalës.

Sipas Sylës, mbi 80 % e  të pranuarve janë nga rajoni i Shalës, kjo për faktin se shumica e aplikantëve vijnë nga ky rajon.

Ai tutje ka shtuar se ndërmarrja “Trepça”, si njëri nga promotorët kryesor të zhvillimit ekonomik të rajonit të Mitrovicës nuk ka punësuar punëtorë të rinjë që nga viti 2011, duke bërë që fuqia punëtore aktuale të arrijë moshën mesatare e cila është e papërballueshme për kushtet e punës në miniera dhe duke rezultuar në prodhim shumë të ulët. “Duke ndjekur me shqetësim të madh situatën e fundit të krijuar lidhur me protestat e banorëve të Shalës me kauzën se në konkursin e fundit është përjashtuar rajoni i Shalës, ju them me përgjegjësi të plotë se shumica dërmuese e të pranuarve në konkursin e fundit janë nga rajoni i Shalës. Më saktësisht, mbi 80 % të të pranuarëve janë nga rajoni i Shalës, kjo për faktin se shumica e aplikantëve vijnë nga ky rajon”, ka shkruar Syla.

 

Postimi  i plotë pa ndërhyrje i Sylës :

E vërteta rreth konkursit në Ndërmarrjen Trepça!

Duke ndjekur me shqetësim të madh situatën e fundit të krijuar lidhur me protestat e banorëve të Shalës me kauzën se në konkursin e fundit është përjashtuar rajoni i Shalës, ju them me përgjegjësi të plotë se shumica dërmuese e të pranuarve në konkursin e fundit janë nga rajoni i Shalës. Më saktësisht, mbi 80 % të të pranuarëve janë nga rajoni i Shalës, kjo për faktin se shumica e aplikantëve vijnë nga ky rajon.

Papunësia është njëri ndër problemet kryesore në Republikën e Kosovës dhe natyrisht që papunësia e madhe bënë që të ketë edhe pakënaqësi të shumta. Në konkursin e fundit në Ndërmarrjen Trepça kanë aplikur më shumë së 1800 aplikantë për vetëm 230 vende pune. Prandaj, numri i madh i aplikantëve në njërën anë, kurse numri shumë i vogël i të pranuarëve në anën tjetër bën që pakënaqësia të jetë e madhe.

Po bëhen dy vite që nga emërimi i Bordit Mbikëqyrës të Trepça sh.a., ku në vazhdimësi jemi përballur me kërkesat për mungesë të fuqisë së re punëtore dhe teknologjisë moderne nëntokësore. Duke parë që Trepça nuk i ka mundësitë që të bëjë zëvendësimin e teknologjisë për shkaqë financiare, Menaxhmenti i ri i ndërmarrjes Trepça me aprovim të Bordit Mbikëqyrës ka hapur konkurs publik për të rekrutuar fuqi të re punëtore. Kjo ka qenë zgjidhja e vetme për të tejkaluar situatën e vështirë në të cilën gjendet ndërmarrja Trepça.

Ndërmarrja Trepça, njësitë biznesore Minierat me Flotacione Stantërg dhe Artanë numëron më shumë se 1230 punëtorë, ku mosha mesatare e të punësuarave të Trepçës është mbi 58 vite. Mosha shumë e lartë mesatare dhe mungesa e fuqisë së re punëtore në anën tjetër rrezikon dukshëm funksionimin e mirëfilltë të ndërmarrjes.

Prandaj, Bordi Mbikëqyrës inkurajon menaxhmentin që të vazhdoj me rekrutimin e fuqisë së re punëtore, veprim i cili do të shpëtonte ndërmarrjen nga gjendja aktuale e krijuar. Për më shumë, për herë të parë në ndërmarrjen Trepça janë udhëhequr procedurat e nevojshme të rekrutimit të punëtorëve të rinjë sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërmarrja Trepça si njëri nga promotorët kryesor të zhvillimit ekonomik të rajonit të Mitrovicës nuk ka punësuar punëtorë të rinjë që nga viti 2011 duke bërë që fuqia punëtore aktuale të arrijë moshën mesatare e cila është e papërballueshme për kushtet e punës në miniera duke rezultuar në prodhim shumë të ulët.

Bordi Mbikëqyrës dhe Menaxhmenti kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për riorganizimin e fuqisë aktuale punëtore, riorganizim ky që solli rritje prodhimi me të cilin thyem rekorde prodhimi disa vjeçare. Fuqia e re punëtore e cila do ti bashkëngjitet ndërmarrjes Trepça do të stabilizoj dukshëm ndërmarrjen në shume aspekte duke filluar nga gjendja e rëndë financiare si dhe problemin e kuadrove të nevojshme.

Për shkak të moshës së vjetër mesatare shumë të lartë, në ndërmarrjen Trepça në vazhdimësi lirohen vende të reja të punës nga pensionimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore.

Në Trepçë do të ketë në vazhdimësi punësime të reja si i vetmi veprim i tejkalimit të situatës momentale.

Prandaj, është e padrejtë që t’ju mohohet e drejta e punësimit të më shumë së 230 punëtorëve të rijnë me kauza të cilat nuk janë të vërteta dhe nuk qëndrojnë.

Me Fat!

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga dy ndeshjet të cilat do të zhvillohen sonte,…