Argumentet për dhe kundër se aeroplani i Prigozhinit u rrëzua me raketa

24 gusht 2023 | 08:37

Banorët e rajonit Tver regjistruan rrëzimin e aeroplanit në të cilin supozohej të ishte Yevgeny Prigozhin. Duket qartë se piloti kishte humbur kontrollin dhe se aeroplani ishte në rënie të lirë.

Në të njëjtën kohë, duke gjykuar nga tingulli, të paktën një motor vazhdonte të funksionojë, një re tymi mbeti pas aeroplanit. Disa pjesë, si krahët dhe bishti, ranë ndaras, transmeton Telegrafi.

E gjithë kjo tregon qartë se rënies i ka paraprirë një shpërthim, shkruan media e pavarur ruse Meduza në analizën e saj përmbledhëse të aksidentit.

Mbetet vetëm një pyetje: a ka ndodhur shpërthimi brenda aeroplanit apo jashtë tij, pra si pasojë e goditjes së raketës?

Përfaqësuesit e Agjencisë Federale të Transportit Ajror rus, pretendojnë se ka pasur një shpërthim në aeroplan, domethënë se ai nuk është rrëzuar. Sipas burimeve të tjera, të gjitha opsionet janë duke u shqyrtuar.

Ekzistojnë argumente kundër këtij versioni:

Një nga videot shihet një re që i ngjan gjurmës së një rakete kundërajrore.

Dëshmitarët okularë në video flasin për dy shpërthime që i paraprinë përplasjes. Lëshimi i dy raketave të mbrojtjes ajrore në të njëjtin objektiv, është një praktikë standarde që rrit probabilitetin për të goditur objektivin.

Në disa pjesë të aeroplanit, janë të dukshme gjurmë të ngjashme me vrimat e krijuara nga goditja e raketës kundërajrore. Por rezolucioni i fotografisë është i ulët, kështu që është e pamundur të vlerësohet me saktësi natyra e gjurmëve. Nuk ka asnjë shenjë në rrënojat që u ndanë nga aeroplani.

Ekzistojnë gjithashtu argumente në favor të shpërthimit:

Sipas Flightradar24, aeroplani u ngjit në një lartësi prej 28,000 këmbë (më shumë se 8.5 kilometra) përpara se të rrëzohej.

Jo të gjitha sistemet e mbrojtjes kundërajrore mund të rrëzojnë një aeroplan në një lartësi të tillë.

Prandaj, teoria se aeroplani u sulmua nga sisteme mobile raketore kundërajrore (të cilat teorikisht mund të përdoren nga diversantët) dhe madje edhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore me rreze të shkurtër mund të hidhet poshtë menjëherë.

Së paku, kërkohet një sistem me rreze të mesme (p.sh. Buk), i cili duhet të vendoset afër itinerarit ku fluturon aeroplani.

Raketat e fuqishme të sistemeve të tilla do t’i shkaktonin aeroplanit dëme shumë më serioze sesa shihet në video: në rast të goditjes me raketë 70 kilogramëshe, një aeroplan i kësaj madhësie ndoshta do të shpërbëhej në një numër shumë më të madh fragmentesh.

Çështja e shkakut të shpërthimit ka implikime të dukshme politike. Nëse aeroplani u rrëzua nga një raketë kundërajrore, atëherë do të mund të flitet pa mëdyshje për përfshirjen e forcave ruse të sigurisë.

Shpërthimi në brendësi lejon pothuajse të gjitha versionet dhe nuk përjashton përfshirjen e mundshme të autoriteteve ruse.

Sipas rregullave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), aksidenti duhet të hetohet nga një organ i autorizuar lokal, në rastin e Rusisë, Komiteti Ndërkombëtar i Aviacionit, me pjesëmarrjen e prodhuesit të aeroplanëve, Embraer SA e Brazilit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti sot do…