ARMIKU

25 prill 11:27

CHARLES BAUDELAIRE

Si një shtrëngatë e errët ishte gjithë rinia ime,
E përshkuar rrallëherë nga dielli madhështor,
Rrufeja dhe shiu shkaktuan aq shumë dëmtime,
Saqë pak fruta ngjyrë gjaku ngelën në oborr.

Ja ku erdhi vjeshta me idetë e mykura,
Dhe më duhet t’i përdor grabujat dhe lopatat,
Për t’i sistemuar sërishmi tokat e përmbytura,
Ku gropat si varre më pengojnë t’i bëj hapat.

Dhe kush e di nëse lulet që çdokush ëndërroi,
Do të gjejnë në këtë tokë që stuhia shterpëroi,
Nektarin mistik që me gjallëri i ushqen?

Dhimbje, o dhimbje! Jeta nga koha gërryet,
Dhe armiku i padukshëm që zemrën na brenë,
Me gjakun që humbasim rritet dhe forcohet.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”. Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë,…