
Arratisja e serbit nga burgu i Mitrovicës: Arrestohet dhe pezullohet një oficer tjetër korrektues
Gjorgje Radomiroviq është i burgosur i nacionalitetit serb i cili më 7 gushti arriti të ikte nga burgu i Mitrovicës në veri të vendit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se lidhur me rastin sot është arrestuar dhe suspenduar nga puna një oficer korrektues i kësaj qendre të paraburgimit.
Numri i zyrtarëve të pezulluar ka arritur në gjashtë, drejtori i Qendrës, një mbikëqyrës dhe katër zyrtarë korrektues.
“Në kuadër të hetimeve për arratisjen nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, sot është pezulluar nga puna edhe një oficer korrektues, i cili edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë rast, numri i zyrtarëve të pezulluar arrin në gjashtë: drejtori i Qendrës, një mbikëqyrës i lartë dhe katër zyrtarë korrektues. Si Ministre e Drejtësisë, ritheksoj se askush nuk është mbi ligjin. Çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri, duke garantuar llogaridhënie dhe siguri në të gjitha institucionet korrektuese”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Shërbimi Korrektues i Kosovës javën e kaluar kishte bërë të ditur se Gjorgje Radomiroviq ka qenë i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, dhe se i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj.
“I burgosuri ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj. Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit.”, kishte njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Gjithashtu, Radomiroviq ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht.