Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së nga Serbia, familja Qenaj autorizon avokatin Smakiqi
Avni Qenaj nga fshati Romaj është ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili është arrestuar të martën në Serbi.
Avokati, Xhevdet Smakiqi ka njoftuar se është autorizuar nga familja Qenaj për ta përfaqësuar ligjërisht, të ish-pjesëtarin e UÇK-së.
“Sot jam autorizuar nga Familja Qenaj nga Romaja e Hasit/ Prizren qe te perfaqësoj intersat ligjore brenda dhe jashte Kosoves te ish pjestarit te UÇK-së Avni Qenaj i ndaluar/ arrestuar dje me daten 25.11.2025 ne territorin e Serbisë”, tha Smakiqi.
Mnistria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar pas marrjes së informacionit mbi arrestimin e Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Paralelisht, thuhet më tej në njoftim, Zyra e Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe delegacionin e Bashkimit Europian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra.
“Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës. Zyra e Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”- thuhet në njoftim.



