Arrestohen dhe dërgohen në mbajtje nënkoloneli dhe kapiteni policor në Pejë, zbardhen detaje

21 qershor 2025 | 22:56

Dy zyrtarë policorë (një nënkolonel dhe një kapiten) në Pejë janë arrestuar si të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë është bërë e ditur në një komunikatë të përbashkët për media nga IPK dhe Prokuroria Themelore ne Pejë.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj personave të dyshuar të inkriminuar në elemente të veprave penale. Veprimet hetimore kanë përfshirë përveç tjerash edhe intervistimin e personave të përfshirë në këtë rast si dhe të dyshuarve. Pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe IPK-së, dy zyrtarë policorë janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.

Për rastin ku ishin të përfshirë dy zyrtarët policorë, IPK kishte dhënë më shumë detaje ditën e djeshme.

“Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.

Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ishte bërë e ditur në njoftim

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka marrë një telefonatë nga…