Arrestohen tre serbë në Francë, vandalizuan Muzeun e Holokaustit në Paris

04 qershor 2025 | 08:21

Tre shtetas serbë janë arrestuar në Francë nën akuzën për vandalizimin e disa objekteve me rëndësi historike dhe fetare në Paris. Sipas raportimeve të mediave franceze, ata dyshohet se kanë spërkatur me bojë të gjelbër Muzeun e Holokaustit, tri sinagoga dhe një restorant hebraik në lagjen Marais gjatë natës së së premtes deri të shtunën, më 2 qershor 2025.

Arrestimet u realizuan në qytetin Zuan-le-Pen, në jug të Francës, pas një hetimi intensiv që përfshiu analizën e bisedave telefonike dhe pamjeve të kamerave të sigurisë. Në pamjet filmike, autoritetet identifikuan një person të veshur me të zeza që spërkaste murin e një ndërtese me bojë të gjelbër, ndërsa dy burra të tjerë shoqëronin aktin – njëri prej tyre duke regjistruar me telefon. Policia po heton gjithashtu nëse ngjarjet kanë ndonjë lidhje me qëndrime ideologjike apo urrejtje të drejtuar kundër komunitetit hebre.

Ngjarja ka shkaktuar një reagim të ashpër në opinionin publik dhe është dënuar fort nga autoritetet franceze. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, e cilësoi veprimin si një “akt të neveritshëm të urrejtjes” dhe theksoi se institucionet franceze janë të vendosura të luftojnë çdo formë antisemitizmi dhe ekstremizmi. “Nuk ka vend për urrejtje ndaj hebrenjve në Francë. Këto akte janë një sulm jo vetëm ndaj komunitetit hebre, por edhe ndaj vlerave të Republikës”, deklaroi ai.

Edhe kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, shprehu indinjatën e saj përmes një deklarate publike ku dënoi veprimin vandal, duke e cilësuar si një përpjekje për të frikësuar dhe provokuar ndasi në një kohë kur uniteti dhe toleranca janë më të rëndësishme se kurrë. “Ne do ta pastrojmë qytetin nga urrejtja dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të kujtesës historike dhe respektit për çdo komunitet”, u shpreh ajo.

Autoritetet franceze kanë nisur procedurat për hetime të mëtejshme dhe janë në bashkëpunim me autoritetet serbe për të verifikuar të kaluarën e të arrestuarve dhe lidhjet e mundshme me rrjete më të gjera ekstremiste ose ksenofobe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat…