Arrestohet një person për kanosje ndaj institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve të tyre

22 maj 2025 | 16:34

Polica e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person në Prishtinë, i cili dyshohet se përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës.

Atij i janë gjetur dhe sekuestruar një laptop, një tablet dhe një telefon.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore disa mujore, në bashkërendim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, nën dyshimin se një i dyshuar është përfshirë në veprën penale ‘kanosje’, sot më 22.05.2025, ka zbatuar urdhëresën e gjykatës ku është zhvilluar kontrolli në një lokacion në Prishtinë. Gjatë kontrollit kanë asistuar edhe njësi tjera policore.

Dyshohet se personi i dyshuar, në mënyrë të vazhdueshme, përmes e-maileve ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës, Universitetit të Prishtinës, si dhe në drejtim të zyrtarëve të këtyre institucioneve.

Gjatë këtij operacioni policor është arrestuar i dyshuar, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “kanosje” dhe në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisjet të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një laptop, një tablet dhe një telefon. I dyshuari me vendim të prokurorit ndalohet për 48 orë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk ka pranuar të…