
Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për rrahjen e të miturit në Kaçanik
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor cili, i angazhuar në policinë kufitare – Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj një të mituri.
Polici i dyshuar, jashtë detyrës zyrtare, e ka sulmuar viktimën, me ç’ rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Klankosova.tv, raporton se rasti lidhet me sulmin e djeshëm, ku përveç policit, u përfshi edhe një i dyshuar, i moshës së mitur.
IPK-ja ka ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj pas të cilave ka dyshim të arsyeshëm që zyrtari policor ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Po ashtu, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin ndaj policit të dyshuar.