Arrestohet personi që kanosi gazetarët e televizionit Klan Kosova, AGK: Rasti të trajtohet me prioritet

20 dhjetor 2025 | 20:40

Asociacioni i Kosovës ka dënuar kërcënimet që janë bërë në drejtim të televizionit Klan Kosova, teksa ka mirëpritur arrestimin e të dyshuarit nga ana e Policisë së Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagim kanë shprehur besimin që rasti do të trajtohet me prioritet.

“AGK-ja dënon fuqishëm kërcënimet e rënda dhe të papranueshme që individi V.H ka bërë kundër televizionit, dhe mirëpret reagimin shumë të shpejtë të Policisë së Kosovës, me besimin që rasti do të trajtohet me prioritet.

AGK-ja dënon secilën formë kërcënimi e intimidimi ndaj gazetarëve, që është goditje për lirinë e medias në vend.”, thuhet në reagim.

Siç u bë e ditur, Policia e Kosovës e ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarin pasi i njëjti ka bërë një seri kërcënimesh online kundër televizionit Klan Kosova, dhe punonjësve të këtij televizioni.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh për çka se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale “Kanosje” në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore së bashku me institucionet e tjera relevante”, thuhet në një komunikim të Policisë së Kosovës.

I dyshuari prej kohësh ka bërë postime të ndryshme në faqen e tij në Facebook, përmes të cilave ka ushtruar mashtrim dhe kërcënime.

Ai ka përdorur manipulim fotografik, duke e shoqëruar atë edhe me gjuhë fyese.

Përveç kësaj, Hasani, i cili në profilin e tij shfaqet si admirues dhe i fiksuar pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur termin “Klan Serbia” në disa mesazhe që dukeshin të drejtuara ndaj udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i referohet si “babë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat…