Çmimin kryesor të festivalit, “Diamanti i kaltër”, këngëtares Arsi Bako ia dorëzoi ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.
E përplot emocion ajo pas shpalljes si fituese shkurt tha: “Nuk e kam pritur fitoren, nuk e di ndihem shumë e lumtur dhe nuk di çfarë të them tani. Thjesht shumë faleminderit”.
E këtë vit fituesja e festivalit mori edhe një dhuratë speciale nga RTK, të cilin e ndau drejtoresha e marketingut në RTK, Ariana Pallata, një medaljon me 62 gurë diamant natyral nga “Flori Diamond”
Arsi Bako u vlerësua edhe me Çmimin e Kryeqytetit, të cilin e dorëzoi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e bërë këtë triumf edhe më të veçantë për artisten.
Çmimi i dytë i festivalit shkoi për Florent Abrashin me këngën “Unë dhe Ti”, ndërsa Arjeta Palushaj me këngën “Andrra” u shpërblye me çmimin e tretë.
Performancat e spikatura nuk lanë pa vlerësim edhe artistët e tjerë: Art Lokaj me këngën “Ty” fitoi Çmimin e Orkestrës, ndërsa Teutë Halili me këngën “Amin” u shpërblye me “Penën e Argjendtë”.
Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK u karakterizua nga një garë e fortë, performanca të shkëlqyeshme dhe një atmosferë madhështore, duke dëshmuar edhe njëherë rëndësinë e këtij eventi për skenën muzikore në vendin tonë dhe promovimin e talenteve të rinj por edhe këngëtarëve tashmë të afirmuar.
Tuna me performancë mahnitëse dhe plot stil në Festivalin e Këngës
Skena e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK u kthye në një shpërthim emocionesh dhe energjie me paraqitjen e këngëtares së mirënjohur Tuna, e cila solli një performancë të kuruar deri në detaj dhe të mbushur me art të vërtetë.
E njohur për stilin e saj unik, zërin karakteristik dhe karizmën që e dallon prej vitesh, Tuna u ngjit në skenë me një interpretim të veçantë të përgatitur posaçërisht për festivalin, duke i dhuruar publikut një kolazh të dy prej hiteve të saj më të dashura, “Bileta” dhe “A don hala”.
Në këtë moment të veçantë, artistja u shoqërua nga kori “Siparantum”, duke krijuar një ndërthurje të fuqishme mes zërit të saj dhe harmonive korale.
Mbyllen performancat e garuesve me Kiara Jubën dhe Elmedinë Ramushin
Pas paraqitjes së shkëlqyeshme të Elvana Gjatës u rikthyen ethet e garës së festivalit me dy performancat e fundit.
Fillimisht në skenë u ngjit Kiara Juba me këngën e saj “Nirvana”, një kompozim miks me elemente alternative, rock progresiv, muzikë elektronike dhe vokal operistik. Më pas doli në skenë Elmedinë Ramushin me këngën “A po m’sheh”, një performancë e ngrohtë që solli plot optimizëm në skenë.
E pasi të gjithë garuesit tashmë kanë performuar në natën finale tani ethet e natës finale bartën te juria, e cila do të ketë punë të vështirë për të përcaktuar fituesit e çmimeve të këtij festivali.
Me një performancë të shkëlqyeshme u paraqit edhe moderatorja e festivalit Rina Krasniqi me këngën “Më lër më ndihmo”.
Elvana Gjata dhuron spektakël në Festivalin e Këngës
Pas një sërë interpretimesh emocionuese nga finalistët e këtij edicioni, Festivali i Këngës mori një tjetër dimension me ngjitjen në skenë të mysafires speciale, Elvana Gjata.
Me një kolazh të përzgjedhur këngësh, artistja e mirënjohur solli në sallën e festivalit një atmosferë elektrizuese dhe plot elegancë skenike. Zëri i saj i fuqishëm, interpretimi me ndjenjë dhe energjia që transmetonte në çdo moment e mbajtën publikun të magjepsur gjatë gjithë performancës.
Në skenë u ndërthurën me mjeshtëri hitet e saj më të dashura “Gjërat kanë ndryshuar”, “Më fal”, “Shenjë” dhe “Xheloz”, të cilat u shoqëruan me duartrokitje të gjata dhe ovacione nga publiku. Performanca e saj u shndërrua në një nga kulmet emocionale të mbrëmjes, duke dëshmuar edhe njëherë se Elvana Gjata mbetet një prej artisteve më karizmatike dhe më të kompletuara të skenës shqiptare.
Pas përfundimit të performancës, këngëtarja u shpreh e emocionuar dhe mirënjohëse për ftesën: “Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe të falënderoj nga zemra Florent Boshnjaku maestro për këtë ftesë që më ke bërë. Ju e dini që tashmë prej vitesh Kosova është shtëpia ime dhe gjysma e zemrës sime. Dhe jam vërtet shumë e lumtur, për më tepër që maestro Kaçinari jeni këtu, dhe kjo më bën të mendoj edhe njëherë që ne jemi një. Një duartrokitje shumë të madhe për orkestrën, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. I gjithë festivali është një punë e mrekullueshme dhe ua them me gjithë zemër se jam e nderuar që jam këtu sot. Por nuk mund të harroj pa i uruar shumë suksese konkurruesve. Edhe nëse nuk fitoni, nuk është fundi i botës, me rëndësi është që të vazhdoni të punoni fort dhe ta shijoni me gjithë zemër atë që bëni. Rroftë muzika”, tha Elvana Gjata.
Vazhdon gara, performojnë Laorjan Ejlli, Xuxi dhe Teutë Halili
Pas performances së Dren Abazit, gara në Festivalin e Këngës vazhdoi me tre finalistë tjerë, duke mbajtur publikun në emocion dhe tension.
Fillimisht në skenë doli Laorjan Ejlli me këngën “Një natë shkruajta për ty”, një interpretim që kombinoi ndjeshmërinë e tekstit të Evis Mulës me muzikën e Osman Mulës, nën dirigjimin e orkestrës nga Lindita Isufi.
Më pas, Xuxi solli energji të veçantë me këngën “Identitet”, ndërsa Teutë Halili performoi “Amin”, një nga këngët më skenike të këtij edicioni.
Ai prezantoi një kolazh të këngëve të tij më të njohura, duke sjellë stilin e tij unik dhe interpretimin e veçantë që e karakterizon.
Dren Abazi pasuron skenën e festivalit me një kolazh këngësh
Nata finale e Festivalit të Këngës në RTK u pasurua me një moment të veçantë kur anëtari i jurisë, Dren Abazi, u ngjit në skenë për të dhënë një performancë të jashtëzakonshme.
Performanca e Drenit nuk la askënd indiferent, teksa publiku në sallë reagoi me duartrokitje të zjarrta dhe ovacione. Kësisoj, përveç rolit të tij në jurinë e festivalit, Dren Abazi dëshmoi se mbetet një artist i fuqishëm skenik, që sjell emocione dhe energji çdo herë që ngjitet në skenë.
Pesë finalistët e parë performojnë me plotë elegancë
Pas hapjes madhështore nga Gjon’s Tears, nata finale e Festivalit të Këngës në RTK është rikthyer me garën e konkurruesve.
Moderatorët Rina Krasniqi dhe Dukagjin Pordrimaj i kanë prezantuar garuesit radhazi dhe kanë paralajmëruar një konkurrencë të fortë në këtë natë finale dhe një punë të vështirë për jurinë e festivalit.
Kënga e parë konkurruese që u paraqit sonte ishte “Unë dhe ti” nga Florent Abrashi, me tekst dhe muzikë nga vet ai, derisa orkestrën e dirigjoi Alfred Kaçinari.
Kënga “Andrra” nga Arjeta Palushaj, me tekst dhe muzikë të Eriona Rushitit dhe dirigjim orkestre nga Memli Kelmendi ishte e radhës që dhuroi emocione tek publiku.
E përplot elegancë në skenë ishte edhe Klea Dina me këngën “At”, me tekst dhe muzikë nga Ana, derisa dirigjent orkestre ishte Memli Kelmendi, njjë këngë mjaft spirituale, e kënduar nga një vokal i fuqishëm.
Rreze zjarr nga Arsi Bako, me tekst dhe muzikë nga Gjergj Kaçinari dhe dirigjim orkestre nga Alfred Kaçinari solli një interpretim plot pasion dhe energji.
E pjesën e parë të performancës së finalistëve e përmbylli kënga “Ty” nga Art Lokaj, me tekst dhe muzikë nga vetë ai dhe dirigjim orkestre Alfred Kaçinari.
Gjon’s Tears hap natën finale të Festivalit të Këngës në RTK
Spektakli më i madh muzikor në vend, Festivali i Këngës në RTK, hyri në natën e tij finale me një hapje madhështore nga artisti ndërkombëtar Gjon’s Tears.
Këngëtari shqiptar që përfaqësoi Zvicrën në “Eurovision” ndezi skenën e festivalit të RTK-së me një performancë të fuqishme, duke u përshëndetur me duartrokitje të zjarrta nga publiku.
Performancës së tij i shtoi magjinë edhe trupa e baletit, e cila solli një koreografi tejet tërheqëse dhe emocionuese, duke kompletuar atmosferën spektakolare të natës.
E pas performancës së tij Gjon’s Tears shprehu krenarinë e për prejardhjen e tij dhe përgëzoi RTK-në për organizimin e shkëlqyeshëm.
“Jam shumë krenar që kam përfaqësuar Zvicrën, por edhe origjinën time nga Shqipëria dhe Kosova dhe jam shumë krenar. Kur kam mundësinë, gjithmonë përpiqem të shndris sa më shumë Shqipërinë dhe Kosovën. Jam shumë krenar që jam këtu sonte, sepse RTK ka bërë një punë jashtëzakonisht të bukur. Shikoni skenën, me thanë të drejtën 100 përqind, shumë pak kam parë edhe në Zvicër dhe Francë. Bravo për cilësinë e spektaklit. Faleminderit Florent Boshnjakut për ftesën dhe punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Kosova është një shtet që po ndërtohet, ka disa gjëra që nuk bëjnë, por prapë është shtet me shumë shpresë e shumë bukuri. Prandaj talentet e sotme ju lutem sa më shumë duartrokisni, sepse nuk është gjithmonë e kollajshme me dalë me 26-27 vjet që po ndërtohet Kosova, me dalë prej historisë së Kosovës, e cila është e rëndë, prandaj jepni sa më shumë shpresë dhe dashni gjithë konkurrentëve sonte. Kjo është kryesorja”, tha Gjon’s Tears.
Në këtë mbrëmje të veçantë, do të performojnë 10 konkurrentët final të përzgjedhur nga juria profesionale, pas dy netëve të para ku u prezantuan 20 këngë të shkëlqyera. Konkurrentët që do të garojnë për çmimin e madh janë:
Art Lokaj – “Ty”
Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”
Florent Abrashi – “Unë dhe Ti”
Teutë Halili – “Amin”
Kiara Juba – “Nirvana”
Klea Dina – “At”
Laurian Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”
Arjeta Palushaj – “Andrra”
Arsi Bako – “Rreze zjarr”
Xuxi – “Identiteti”.
https://www.facebook.com/share/v/1BvYQsmy8j/?mibextid=wwXIfr



