Arti artikulon edhe dhimbje, jo vetëm kënaqësi

22 korrik 2021 | 18:03

Intervistë me poetin dhe profesorin e letërsisë shqipe, Sali Bashota

 

Bisedoi: Berat Armagedoni

 

A duhej të shkruanit më shumë për luftën sepse gjenocidi ndaj shqiptarëve bërë nga serbët ka qenë i madh dhe i gjatë. Plagët tona ende janë të hapura edhe njëzet e dy vjet pas përfundimit të luftës.

 

Sigurisht se po. Megjithatë, të dy librat e mi me poezi, Dalje nga trishtimi (1999) dhe Dorëshkrimi i ngjallur (2011), pothuajse në tërësi trajtojnë motive dhe tema të luftës. Po kështu, edhe në librat e tjerë e kam trajtuar temën e luftës, në disa poezi dhe proza poetike. Kur mendoj, flas e shkruaj për luftën, ende s’kam arritur të çlirohem nga përmasa e mungesës, boshllëkut, pikëllimit dhe dhimbjes. Në shpirt nuk mund ta kthej më qetësinë se si do të mund ta shpjegoja atë tmerr nëpërmjet ndjenjave dhe mendimeve të mia, duke shqiptuar fjalën luftë. Mbase e kam të pamundur ta kuptoj deri në fund gjendjen shpirtërore, se si lufta e artikulon vetëm të keqen, tmerrin, vdekjen. Për popullin tim lufta e artikulon lirinë, jetën, ekzi­stencën, identitetin, heroizmin.

 

Çfarë keni mësuar nga veprat që keni lexuar?

 

Në secilën vepër që kam lexuar kam mësuar për dimensionin e jetës, të dashurisë, të vdekjes, të përjetësisë, por edhe të gëzimit, dhimbjes, lumturisë, fatit etj. Secila vepër e ka vlerën e vet për lexuesin. A mund ta pranoj kënaqësinë apo ballafaqimin me ngjarjet në një vepër letrare, si paraqiten, si përshkruhen, si tipizohen, si funksionalizohen apo cili është roli dhe ndikimi i tyre?

Vullneti i lexuesit është si vullneti i vetmitarit, që provon ta kuptojë një botë të fantazuar nga shkrimtari, për ta ndërtuar vizionin e vet, të ndikuar nga përjetimi subjektiv, pikërisht në funksion të njohjes së fenomeneve letrare brenda letërsive dhe kulturave të ndryshme.

Nga leximi i veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore, por edhe të letërsisë shqipe, kam mësuar çfarë është e bukura, e mira, e dobishmja, e madhërishmja, idealja, e shëmtuara, e keqja, por dhe çfarë është dashuria, lumturia, ëndrra, vetmia, iluzioni, pesimizmi, shpresa, besimi etj.

Nga leximi i veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqipe, po kështu, kam mësuar çfarë është frymëzimi, ndjenja, mendimi, procesi krijues, por edhe çfarë është stili, figura etj., komunikimi me vlerat që e krijojnë identitetin e një letërsie. Si përshtypje personale më ka pëlqyer përshkrimi i jetës njerëzore nga shkrimtarë të ndryshëm, duke e ditur faktin se shkrimet dhe krijimtaria e tyre në përgjithësi kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë njerëzore. Kur kam lexuar poezi të bukura, e kam krijuar bindjen se poetët e mëdhenj janë të pavdekshëm. Prandaj, është mrekulli ta kuptosh botën shpirtërore të njerëzve që shkruajnë. E njerëzit që shkruajnë janë shkrimtarët.

Ndjesinë e kënaqësisë së veçantë ndaj leximit e kam kuptuar më qartë dhe më saktë kur i kam lexuar veprat e autorëve: Homeri, Shekspiri, Dante, Prusti, Gëte, Kafka, Kaneti, Markezi, Eco, Borhesi etj., pastaj veprat e Aristotelit, Platonit, Hegelit, Volterit, D’Akuinit etj. si dhe veprat e shkrimtarëve shqiptarë: Naimit, De Radës, Fishtës, Konicës, Lasgushit, Kutelit, Mit’hat Frashërit etj., si dhe të autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe. Prandaj, leximi i veprave të mira, të themi i veprave të rëndësishme, është gjëja më fatlume për një lexues. Madje thonë se veprat e tilla ia ndryshojnë jetën njeriut.

 

Po vraponi drejt moshës së pensionimit, por aktivitetet dhe detyrat publike vetëm po i shtoni nëpër institucione. Energji, plot, si të ishit në moshën më të mirë të rinisë. Letërsia ju mban në këtë formë?

 

Lidhja ime me letërsinë është fuqizuar që nga fëmijëria dhe ka vazhduar në të gjitha fazat e jetës, sidomos si student kur kam lexuar deri në dhjetë orë në ditë. Është e vërtetë se letërsia më ka dhënë mundësi të mëdha për të njohur procese të ndryshme letrare dhe kulturore jo vetëm përbrenda ambientit kulturor në Kosovë, pastaj që të merrem edhe vetë me procesin mësimor, pikërisht në atë nivel ku bëhet shpjegimi dhe vlerësimi i letërsisë që nga viti 1984, kur e kam filluar punën e asistentit në Universitetin e Prishtinës, por edhe me botimin e veprave letrare dhe shkencore, ku trajtohen vepra, fenomene letrare dhe estetike.

Në karrierën time letrare mbi dyzetvjeçare jam përpjekur të vë një komunikim të qëndrueshëm me lexuesin, qoftë me shpjegimin e letërsisë para studentëve, qoftë me botimin e shkrimeve kritike për vepra të caktuara. Përse letërsia ka një rol të jashtëzakonshëm në jetën shpirtërore të njeriut? Janë një varg arsyesh që tregojnë për ndikimin e letërsisë në shoqërinë njerëzore, në fakt për ndikimin e veprave të autorëve të njohur. Mjafton t’i përmendim, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Mit’hat Frashërin, por edhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë shqipe.

 

Dergja botërore, pandemia Covid-19, na mbylli përkohësisht. Gjatë karantimit shkruat edhe një libër me poezi, kapakun e të cilit e ilustruat me një fotografi të portretit tuaj me mjekër të thinjur. Çfarë përmban ai libër: më shumë frikë apo shpresë, vdekje apo jetë?

 

Libri poetik Pëshpëritja e agonisë pikënisjen dhe përfundimin e ka në periudhën e shfaqjes dhe të pranisë së pandemisë së koronavirusit, i njohur si Covid-19, i cili e ka mbërthyer, pothuajse, tërë botën.

Idetë, motivet, temat e poezisë janë strukturuar, pikërisht në ballafaqim me realitetin ekzistues, aty ku prodhohet ndjeshmëria letrare dhe receptohet ndjeshmëria njerëzore, por edhe huma­nizmi dhe vlerat fundamentale të njeriut, sidomos betuesit e Hipokratit.

Në këtë libër poetik figurat më të përdorura janë: jeta, lutja, ëndrra, dashuria, lumturia, frika, uji, dhimbja, fati, vetmia, karantina, shpëtimi, malli, prekja, përshëndetja, agonia, vdekja.

Ka edhe figura të tjera të cilat bashkë me këto që u përmendën më lart, e përkundin ëndrrën e jetës në procesin krijues, domosdo me një kërkesë të veçantë emocionale, aty ku shpërthen kupti­mi dhe domethënia për fatin e njerëzimit nga shfaqja e së panjohurës dhe e së padukshmes që e ka kapluar njerëzimin.

Realiteti i frikshëm paraqitet si vetënjohje për ta funksiona­lizuar ligjërimin përbrenda aktit të ngujimit apo karantinës, kështu që idetë dhe mesazhet e poezisë ndërtohen përbrenda dy pamjeve antitetike: midis dhimbjes dhe lumturisë, midis pesimizmit dhe optimizmit, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, midis jetës dhe vdekjes.

Ballafaqimi me të panjohurën është esenca e poezisë. Në fakt, e panjohura bëhet pikë referimi për ta shpalosur tërë botën e frymëzimeve në këtë libër poetik.

Pëshpëritja e agonisë është një libër i shpalosjes së ankthit dhe i situatave ekzistenciale në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin, që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.

Gjithsesi, është një përpjekje për të vënë një komunikim poetik për fatin e gjërave që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin në jetën e njeriut dhe, herën tjetër, që është kryesorja, konceptimi i fenomenit të lirisë në rrethana absurde dhe para­doksale.

 

Pse vetëm poezi, prozë poetike dhe studime e nuk shkruani edhe tregime, novela, romane?

 

Shkrimtarët, jo rrallë, s’i zbulojnë fshehtësitë e krijimtarisë së tyre letrare, pra se çfarë shkruajnë. Pos poezisë, prozës, eseve, studimeve letrare, natyrisht i kam shkruar edhe disa tregime të shkurtra të cilat janë botuar në veprën Ëndrra në parajsë. Nuk po them asgjë për romanin. Sigurisht në intervistën tjetër të radhës do të them diçka më shumë për romanin. Poezinë, prozën poetike dhe studimin i shkruaj me një kënaqësi të veçantë.

Çështja e përzgjedhjes së llojit apo zhanrit që e shkruan secili autor, pikë së pari, ndërlidhet me dashurinë, pasionin, invencionin dhe aftësinë krijuese. Mundësia e shkrimit për­caktohet nga afiniteti i krijuesit: çka pëlqen, çka i fle në shpirt, çka imagjinon, cilën formë, cilin shprehje, cilën temë? Në fakt, postmodernizmi sot i ka ndryshuar rregullat e lojës së shkrimtarisë. Çfarë po ndodh me poezinë? Pse kaq pak shkruhet poezia sot? Çfarë po ndodh me llojet dhe zhanret e tjera? A ka “vdekje” të disa zhanreve? Si po ndryshojnë kriteret e vlerësimit? Ka shumë çështje dhe probleme për të cilat do të mund të flisnim, për të dëshmuar se edhe zhvillimi i teknologjisë e ka ndryshuar perceptimin edhe për funksionin e veprave letrare sot, duke e ndryshuar mendimin dhe kon­ceptin për letërsinë?

Secili autor e përjeton, e imagjinon, e paraqet, e sistemon përbrenda vetvetes atë që e ndien në shpirt, për ta paraqitur përbrenda procesit të krijimit. Fuqia e ndjenjës e përcakton rezultatin e mendimit. Aty fillon të mbizotërojë vetëdija për shkrimin, i cili bëhet i dashur për autorin nëse e arrin synimin kryesor, që përmes funksionit poetik dhe përbërësve të tjerë, të ushtrojë ndikim, por edhe të jetë në interes të zhvillimit të letërsisë, kuptohet me vlerën dhe rëndësinë që paraqet.

 

Çfarë është letërsia shqipe dhe çfarë do të donit të ishte?

 

Për t’i shpjeguar saktë treguesit e vlerave të letërsisë shqipe, natyrisht nuk do të duhej t’i referoheshim historisë së letërsisë shqipe që, fatkeqësisht, ende s’e kemi, madje as në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XXI.

Në një ligjëratë timen para disa vjetësh, ndër të tjera, kam thënë se nëse mungon një histori e plotë e letërsisë shqipe, cili do të ishte konstatimi më i qëndrueshëm se mund të rishkruhet, mund të plotësohet edhe ajo pjesë që është e diskutueshme apo e ideologjizuar e procesit vlerësues, që është shkruar në periudhën e kaluar në histori të ndryshme të letërsisë shqipe të botuara deri më tani, sikundër që do të mund të favorizohet dhe të merret si model i përshtatshëm, pra cilësia e asaj pjese që tregon për rezultatin e arritur për ofrimin e vlerave të dëshmuara letrare sipas kritereve shkencore.

Duke u nisur edhe nga këto koncepte problematizuese, historia e letërsisë shqipe në shekullin XXI nuk mund të rishkruhet as të vlerësohet. Prandaj, është e domosdoshme që, më në fund, të shkruhet sipas vlerave letrare të autorëve dhe kritereve shkencore të hartuesve të saj.

Letërsia shqipe në të gjitha periudhat e zhvillimit i ka autorët e saj të mëdhenj. Edhe pse shumë shkrimtarë shqiptarë kanë shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, nuk kanë arritur të bëhen emra të njohur në letërsinë e atyre vendeve. Madje të gjitha konstatimet për një qasje argumentuese dhe kritike lidhur me këtë çështje tregojnë se rruga e formimit, e zhvillimit, e afirmimit të letërsisë shqipe në rrafshin diakronik e sinkronik, mbështetjen kryesore e ka te personalitetet letrare të cilat janë formuar në diasporë dhe të cilët, me prodhimin e tyre letrar, i kanë vënë bazat e letërsisë kombëtare. Megjithatë, nuk ka ndodhur që De Rada shkrimtar i diasporës së arbëreshëve të Italisë, i cili ka shkruar në gjuhën italiane, të bëhet i njohur në letërsinë italiane, as Noli e Konica, Arshi Pipa, të cilët jetuan dhe vepruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të bëhen shkrimtarë të njohur në letërsinë amerikane.

Letërsia e sotme shqipe nuk ka arritur të përkthehet dhe të përfaqësohet me vlerat e saj letrare dhe estetike. Nuk ka dyshim se kjo e dhënë ndikon në afirmimin e vlerave të saj. Pothuajse, përjashtim bën vetëm Ismail Kadare. Prandaj, përkthimi i një letërsie kombëtare, siç është letërsia shqipe, do të ndikonte në afirmimin e vlerave të elitës intelektuale të Kosovës. Kështu dalëngadalë po arrijmë te një ndër problemet kryesore: cili është statuti i shkrimtarit të Kosovës sot? Pa dyshim, kjo çështje kërkon një trajtim të veçantë institucional në të gjitha nivelet vendimmarrëse.

 

Vlerësimin e kujt e çmoni më shumë për veprat tuaja?

 

Natyrisht, vlerësimet e lexuesve i çmoj më së shumti. Mirëpo, mendimet e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë kanë një peshë të veçantë për secilin shkrimtar. Do të dëshiroja shumë që të krijohej distanca kritike për vlerësimin, në kontekstin për ta krijuar bindjen e lexuesit dhe të kritikës letrare për veprat që botohen, kuptohet për secilin shkrimtar. Mendoj se distanca kritike ndërlidhet shumë me vlerësimin e drejtë. Ambienti ynë kulturor sikur e ka ngulfatur, mbase jo rrallë, edhe e ka rrënuar kriterin e vlerësimit dhe, natyrisht, kjo e dobëson ndikimin e kritikës qëllimmirë. Mendoj se është krijuar një bindje për një diskriminim kulturor të vlerave, prandaj energjia e mirëfilltë intelektuale është përpara një sprove, ku favorizohen gabimisht pseudovlerat të cilat përpiqen t’i përshtaten realitetit të shpifur. Madje askush nuk mban përgjegjësi për bashkëpjesëmarrje në këtë realitet të çuditshëm, që paradoksalisht bëhet madje edhe referencë e kulturës masive.

Për krijimtarinë time letrare kanë shkruar shumë studiues e kritikë letrarë, brenda dhe jashtë vendit, recensione, studime dhe monografi letrare. Secili autor është i nderuar kur vlerë­sohet krijimtaria e tij letrare. Në fakt, vlerësimi i drejtë, i saktë, i vërtetë bëhet pjesë e dinjitetit tënd, sepse të motivon për të arritur suksese të reja.

U jam shumë falënderues dhe mirënjohës.

 

A e konsideroni veten ndonjëherë poet pesimist?

 

Që në sprovat e para poetike prirje mbizotëruese imja ka qenë optimizmi, ndoshta edhe si aventurë krijuese që ka të bëjë edhe me hollësitë e jetës. Gjithmonë kam synuar një lloj synimi jetësor, që do të ndërlidhej me zbulimin e gjërave të besueshme për vetveten që, në fakt, nuk paraqesin mëkate as faje. Në jetë gjithmonë më ka motivuar objektiviteti.

Formën poetike që e kam zgjedhur për t’i shprehur idetë e mia krijuese, natyrisht e karakterizonte pikërisht transmetimi i ndjenjave të forta lirike që e prodhonin një akumulim të energjisë krijuese: për shembull, se si do ta përfytyroja një vajzë të bukur me trëndafila të bardhë në duar apo si do ta përjetoja gjatë leximit, fjala vjen, buzëqeshjen e fundit të Beatriçes në veprën Komedia hyjnore të Dantes. Imazhi i parë është konkret, ndërkaq i dyti i përfytyruar nga një vepër e lexuar. Për më tepër, në shembullin e parë vajza e bukur ngulitet në kujtesë si një çast, që përfundon me magjinë e shikimit, në shembullin e dytë buzëqeshja e Beatriçes është kënaqësi estetike, e rimarrë nga vepra e lexuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me një zgjedhje estetike dhe me një përvojë estetike. Cila do të ishte përparësia për një shkrimtar: zgjedhja apo përvoja?

Në fillimet e mia krijuese jam munduar të mos ndjek modele të pëlqyera poetike që do të kishin ndikim nga të tjerët, por ta zbuloja stilin tim për ta zbërthyer realitetin konkret me situata poetike, kryesisht të thëna përmes paradoksit dhe ironisë lirike. Dëshiroja me çdo kusht ta ndaja ëndrrën nga realja, duke hyrë në botën shumështresore të poezisë.

Përpjekja për ta konceptuar dhe trajtuar sa më tepër një ligjërim dashuror sikur është përqendruar shpeshherë te përmasa e pesimizmit. Kjo më shkaktonte një ndjenjë drithëruese për formësimet e reja të imagjinatës, se çfarë do të bëja më tutje për formulimin e poetikës sime, nëse mund të them kështu.

Në krijimtarinë time letrare ka vargje ku paraqiten elemente të pesimizmit. Mospajtimi me realitetin, me të ndodhurat, me pakënaqësitë, me dukuritë e shëmtuara të jetës së njeriut etj., prodhojnë skema të pesimizmit.

Mendimi, ndjenja, krijimi, pa dyshim, kanë kuptim, emocion, fshehtësi në fuqinë krijuese të poetit. Jo të gjitha ndjenjat e brendshme shpirtërore e konceptojnë dhe e ndërtojnë magjinë e fjalës poetike, jo të gjitha ndjenjat dhe mendimet e kanë fuqinë imagjinative ta prodhojnë ndikimin estetik.

Pse e kam kaq shumë në poezi kukamën e qyqes, pastaj gjarpërinjtë, hijet, varret, vdekjen, shpirtrat e këqij, të zezën etj., këto mund të ndërlidhen me elementet e pesimizmit. Në fakt, mendoj se në shumë rrafshe materia poetike e përcakton edhe thelbin psikologjik të poetit, edhe atëherë kur iluzionet e çuditshme iu nënshtrohen parimeve të tjera krijuese që kanë të bëjnë me temat e jetës dhe me temat e vdekjes.

 

Çfarë mund të thoni për raportin midis kohës, kujtesës dhe shkrimit?

 

Koha, kujtesa dhe shkrimi më duket se janë një trini prustiane, që e kanë parabolën e vet krijuese në fazat e krijimtarisë së Marsel Prustit apo që i përgjigjen edhe kontekstit social e his­torik si mënyrë përcaktimi për të. Mendoj se këto tri elemente e përbëjnë të vërtetën objektive për secilën vepër, pavarësisht se cilit lloj apo zhanër i përket. Në fakt, koha ofron çdo gjë nga realiteti i paraqitur në vepër, për ta saktësuar aktin e frymëzimit, ndërsa kujtesa është substanca kryesore nga fillon të thuret procesi i shkrimit. Ndoshta do të mund të flitet edhe për “hendekun kohor”, siç do të thoshte Elias Kaneti.

Çfarë dëshiroj të them për kujtesën dhe dokumentimin e saj përbrenda veprave të mia. Kjo është çështje shumë specifike e cila kërkon një vëmendje dhe një trajtim të veçantë. Me asnjë lloj kopjeje të imagjinatës nuk mund ta përfytyroj ashtu siç ishte shtëpia e djegur dhe biblioteka e djegur. Cilin çast më të dhimbshëm do të vendosja në ligjërimin e poezisë sime, po të mendoja natë e ditë. Akti i këtillë i përjetimit të dhembjes shpirtërore ndërlidhet me kujtimet për gjërat e shkuara. Ndoshta pikërisht në këtë rast mund të flas për pavdekshmërinë e kujtimeve që e kanë përmallimin e një kohe, që lidhet me heroizmin e popullit tim (lufta për liri), por edhe të një dhimbjeje personale që e zgjedh një fakt: djegia e librave, dorëshkrimeve, fotografive. Cili lexues i gjeneratës së sotme (që nuk e ka përjetuar luftën) do të mësohej apo do të pajtohej me dhimbjen shpirtërore të një poeti.

Le të thuhet se koha, kujtesa dhe shkrimi janë si ëndrra, realiteti, përjetimi apo edhe diçka më tepër kur bëhen të pash­mangshme në procesin krijues. Pra, arti artikulon edhe dhimbje, jo vetëm kënaqësi. Kujtimet e hidhura kurrë nuk mund të bëhen të lumtura, edhe pse veprat letrare përpiqen ta bëjnë këtë të dytën.

Marrëdhëniet e kohës me kujtesën ndërlidhen më shumë të ndodhura në jetën e poetit. Këto kanë të bëjnë edhe me dashurinë, vetminë, ëndrrat, lojërat, atmosferën e shkollës, pasionet etj. Cilës do t’i jepnim më shumë rëndësi? Të gjithave.

 

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Vijon në numrat e ardhshëm të gazetës. © “Armagedoni”).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë rreth 35 filma artistik, dokumentar dhe të metrazhit të…