Artikull nga heroi i kombit Bahri Fazliu/ Për epokën, mbas epokës!

10 qershor 2018 | 20:23

Me rastin e 140 vjetorit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, po e ribotoj nje artikull te Heroit të Kombit Bahri Fazliu te shkruar ne qershor te vitit 1994.

PËR EPOKËN, MBAS EPOKËS

Nëpër kalendar kalon historia. Para nesh rrinë krenar martirët që kohën e tyre e bënë epokë. Sa më i fortë kujtimi, aq më e madhe përgjegjësia për aktualitetin. Heronjtë bënë të tyre, po ne ku jemi?

Thellohemi kështu në kujtime, ndërsa kalendari shënon 10 qershor 1878. Emocionet vërshojnë. Kujtimi zbehë realitetin, e djeshmja qëndron më lartë se e sotmja, vdekja për jetën më madhështore se vetë jeta, kushtrimi i djeshëm më shumë kushtrim i sotshëm.

10 qershor. Bien kambanat e vdekjes për armiqtë. Lidhja mban fort jetën, jeta mban fort Lidhjen. Bashkimi mban fort popullin, populli mban fort bashkimin.
“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”

Kombi mbledhë barutin dhe me barut flet, i flet epokës, i flet rilindjes. Rilindja i flet popullit me gjuhën e diellit. Të respektosh epokën do të thotë të zbrazësh dyfekun.
Oh! “Moj Shqipëri, e mjera Shqipëri!”
Atdheu flet me gjuhën e trollit. Zhuritë tokën thatësira, çan dheun. E çara në mes kërkon rrënjët. Do t’ia thithë frymëmarrjen tokës. Do t’i ndajë malet nga fushat.
Shtrihet një dorë. Nuk është dru nga cungu i tharë, por është shkëmb nga shkëmbinjtë e pandarë. Zemra toku zemrën, forca forcon forcën. Bëhet shtrëngatë. Vetëtima çan qiellin e errët, duket horizonti. Kërcet pushka, gjaku s’falet, toka është hapur. Plava, Gucia, Hoti e Gruda – simbole. Aty fitoi bashkimi, fitoi baruti, aty u dënua ndarja, u dënua “paqja”. Rrënjët si preku thatësira, degët si shkëputi shpata.

Prizren. Mbajte ison mirë. Këngën që këndove ia mësove atdheut dhe ai se harroi kurrë. More nga ndërgjegjja e kombit brumin dhe gatove me të barutin, e pastaj e shpërndave me këngën e zogjve.

Abdyl Frashëri. Sa e deshe popullin ti e sa të deshi populli ty. Në kohën tënde mendove për ne. Gjakun që ta dha populli e bëre jetë për popullin. Të gjykuan anadollakët. Por, a mund të gjykohet trolli, more të mjerë, a mund të gjykohet historia?
1881. Gjaku rodhi. Thanë u shua Lidhja. Gabuan. Aty ku rrjedh gjaku, s’ka vend vdekja. Frymëmarrja e tokës s’mund të ndalet. Lidhja nuk ishte kullë prej letre e ndërtuar në mes të shkretëtirës, ajo qe kështjellë e bërë nga trupa njerëzish në tokën e ujitur me gjak martirësh. E rrahura e zemrës së tyre barazohej me krismën e pushkës.

1900. Lidhja është gjallë, lidhja përtërihet. Mungon Abdyli, por jo kënga e tij. Bukur ia thotë asaj Haxhiu. Heu, si këndonte më 1912 Ismail Vlora! Po Isë Boletini, Hasan Prishtina… Kënduan shekujt bashkë me ta dhe e bënë të tyren këtë këngë. Po me këtë këngë bënë lidhje brezat e rinj.
T’ua mbysim këngën, thanë armiqtë. Lëshuan shpatën më 1913.

Plagët lëndojnë trupin e shëndoshë, por s’mund ta mbysin po s’mbërthyen zemrën. E zemra e popullit, zemra e tokës s’mund të vritet. As ‘45-ta s’mundi ta vriste lidhjen – këngë. Feniksi lidhje u rishfaq prapë më ‘68, pastaj më ‘81…
Vizatohet kështu e shkuara, ajo që sot është e dëshiruar.
Oh, moj Kosovë, e mjera Kosovë!

Qan Kosova për lidhje, lidhja qan për Kosovën. Kalendarët ecin me kohën. Datat mbesin në kohë, koha mbetet në ne. 10 qershor ishte dje, 10 qershor është sot. Robëri ishte dje, robëri është sot. Pushka gati dje, pushka ku është sot?
Duhet bërë epokën! Gjakun duhet kthyer tokës, historinë duhet lënë kohës, n’histori duhet ta kthejmë epokën.
Për epokën, mbas epokës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave…