Artikulli i Martens në FAZ: Presidenca e quan shpifje, paralajmëron procedura ligjore në Gjermani

04 shkurt 2026 | 16:17

Pas kritikave të gazetarit gjerman të Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ndaj presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar këshilltari i saj, Rinor Nuhiu duke i cilësuar deklaratat e gazetarit si shpifëse dhe të pavërteta. Në një reagim publik, Nuhiu ka theksuar se pretendimet e Martens përbëjnë shpifje, fyerje dhe përhapje të dezinformatave, të cilat sipas tij, janë të dënueshme sipas legjislacionit gjerman. “Shpifja dhe fyerja, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme nga Michael Martens (i njohur si Andric1961), i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman,” ka shkruar Nuhiu në “X”. Osmani sërish në fokusin e kritikave nga gazetari i FAZ-it: Po shfaqet si “kandidatja e Trumpit” për të siguruar mandatin e dytë

Ai shtoi se presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e gazetarit, duke i cilësuar ato si dëmtuese për institucionin e Presidencës dhe për shtetin e Kosovës. “Presidentja Osmani i refuzon kategorikisht pretendimet shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformatave,” theksoi këshilltari i saj. Sipas Nuhiut, presidentja tashmë ka nisur konsultimet me avokatë në Gjermani, me qëllim të ndjekjes së të gjitha rrugëve ligjore të mundshme. “Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani për të përdorur të gjitha mjetet ligjore, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të institucionit dhe të vendit që ajo udhëheq,” përfundoi Nuhiu. Reagimi vjen pasi gazetari i FAZ-it kishte shkruar se Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë duke u prezantuar si “kandidatja e Donald Trumpit”, një vlerësim që ka nxitur debat të gjerë në opinionin publik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar të plotë aktgjykimin lidhur…