Asfaltimi i rrugës Rahovec-Xërxë, Kryeziu me kritika për projektin. Ja pse
Asamblistja e LDK-së, Edona Kryeziu, në seancën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, ka ngritur si shqetësim projektin e asfaltimit të rrugës Rahovec-Xërxë.
Ajo në fjalën e saj, ka thënë se ka kërkuar që ky projekt të rishikohet në disa pjesë kyçe, në mënyrë që rruga të jetë funksionale edhe për bujqësinë dhe jo vetëm për veturat personale.
Sipas, saj, asnjë nga këto shqetësime nuk u morën parasysh në raport nga komuna. “Punimet vazhduan sikurse që zëri i qytetarëve të mos ishte aspak me rëndësi. Bujqit protestuan dje me të drejt, sepse janë të lodhur dhe të revoltuar nga një qeverisje që asfalton për fotografi dhe fasadë zgjedhore, por jo për nevoja reale. Edhe pas protestës, asfaltimi vazhdoi, duke treguar qartë se kjo qeveri nuk po punon për qytetarët por për interesat e saj politike. Si përfaqësues e qytetarëve në këtë Kuvend, kërkoj që të ndalet përkohësisht asfaltimi në këtë segment derisa të bëhet një konsultim teknik me përfaqësuesit e bujqve. Të organizohet një dëgjim publik me banorët dhe bujqit e fshatit Xërxë për të përfshirë kërkesat e tyre në këtë projekt. Të kemi transparencë koston e këtij projekti, arsyetimin teknik dhe planin afatgjatë”, ka thënë Kryeziu.



