AShAK-u boton librin e Kujtim Shalës, “Epi i shqiptarëve”

11 nëntor 2025 | 08:00

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar librin më të ri të Akademik Kujtim M. Shalës, me titull “Epi i shqiptarëve”. Ky libër monografik është një studim mbi Lahutën e Malcís të Gjergj Fishtës. Libri ka shtatë kapituj: I. Epi i shqiptarëveII. VraninaIII. Mësimi, IV. Marash UciV. LekëtVI. Tringa dhe VII. Kurora e veprës.

Struktura e tillë e libri Epit i shqiptarëve ndjek strukturën e Lahutës së Malcís, si një vepër e përbërë nga cikle të veçanta, që, të lidhura ndërmjet vete, japin epin e shqiptarëve. Shkrimi i veprës në cikle, para se ajo të botohej e plotë, përbën metodë krijimi, të cilën studimi i Shalës e kthen në metodë interpretimi.

Kapitulli i parë i librit Lahutën e Malcís e përcakton kryevepër letrare të Fishtës dhe të letërsisë shqipe, me theksim të  rëndësishmes letrare/kulturore të veprës, pastaj trajton krijimin e veprës, gjininë letrare të saj, heronjtë dhe ngjarjet themelore, formatin kulturor dhe moralin autentik, si dhe mësimet themelore të saj. Kapitujt e tjerë, sipas radhës, analizojnë dhe interpretojnë ciklet e veprës: këngët për Vraninën; këngët e Lidhjes së Prizrenit; këngët për Marash Ucin; për betejën e Sutjeskës; për Tringën, si dhe këngët e betejave për pavarësinë e Shqipërisë. Kapitujt e Epit të shqiptarëve së bashku hapin veprën e madhe të Gjergj Fishtës, veprën e madhe të shqiptarizmës, kryeveprën Lahuta e Malcis, mësimin e madh të saj, një mësim ky autentik, që jepet me shembuj të jetës dhe të nderit shqiptar.

Autori konstaton se veprat si Lahuta e Malcís e Fishtës lexohen për estetikën dhe për tematikën e tyre, lexohen për t’u identifikuar me të, prandaj janë vepra identitare. Në thelb, ky studim i Shalës e dëshmon se veprat si Lahuta e Malcís japin mësimet e mëdha të idealitetit dhe të identitetit shqiptar.

“Epi i shqiptarëve” ka 204 faqe dhe është vepra e pesëdhjetë e pestë me radhë e Kujtim M. Shalës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të ndjekësh një ëndërr është diçka që pak veta e…