
“Asnjëherë fund, gjithmonë fillim”, libër me rrëfime për plagët e shoqërisë
Hamide Isufi (1991), mërgimtarja nga diaspora shqiptare, me punë dhe banim në Zvicër dhe Belgjikë, sot ka njoftuar se i është publikuar libri “Asnjëherë fund, gjithmonë fillim”. Ajo ka bërë me dije se në këtë libër ka punuar kohë të gjatë. “Ky libër është shkruar me javë e muaj pa gjumë. Kam zgjedhur në këtë libër të flas edhe për biografinë time, për sfidat, për uljet dhe ngritjet, mbi të gjitha për ne gratë dhe vajzat se si duhet të luftojmë, sa të pavarura dhe guximtare duhet të jemi”, ka treguar ajo për përmbajtjen e librit dhe për kohën e angazhimit për publikimin e tij.
Ajo, ndër të tjera, ka thënë se librin do të promovojë edhe në mediet e Kosovës këto ditë dhe, gjithashtu, do të organizojë promovim të tij në ditët e ardhshme në Zvicër, kurse nga nesër do ta shpërndajë nëpër libraritë e Kosovës. “Gjithashtu, shumë shpejt libri do të përkthehet dhe të botohet edhe në gjuhën frënge, do ta promovoj dhe ta shpërndaj edhe në shtetin e Belgjikës dhe të Zvicrës”, ka njoftuar Isufi.
Më poshtë parathënia e librit të saj:
Dy fjalë për ty nga thellësia e mendjes dhe zemrës
Ky nuk është thjesht një libër. Është një thirrje. Një zë i ardhur nga përvoja, nga dhimbja dhe nga shpresa. Është një copëz jetë që lindi në errësirë, por kurrë nuk hoqi dorë nga drita.
Zgjedhova ta nis këtë rrugëtim me rrëfimin tim personal jo se është më i veçantë se i të tjerëve, por sepse është i ngjashëm me shumë histori vajzash dhe grash që nuk janë shkruar kurrë.
Historia ime është thjesht një derë e hapur për të treguar se çfarë ndodh kur një vajzë nuk dorëzohet, kur një grua sfidon jetën dhe kur ajo i bie përmbi si një mal.
Pra, ky libër nuk është për mua. Është për ne. Për çdo grua që është ndier vetëm, e heshtur, e thyer. Është për çdo nënë që ka qeshur derisa i është dridhur shpirti nga lodhja. Për çdo vajzë që i është thënë se s’mund t’ia dalë, por që ka besuar të kundërtën.
Këtu do të gjeni kapituj që prekin plagë të vjetra e të paharrueshme. Plagë që nuk janë vetëm të miat, as vetëm tuat. Plagë të një shoqërie që shpesh harron forcën që mbart një grua. Janë rrëfime të dhimbjes dhe ngushëllimit, sepse përmes dhimbjes lind fuqia.
Ky libër është për ty që po e lexon.
Për ty që ke heshtur shumë.
Për ty që je lodhur, por s’je ndalur.
Tash është koha të kujtojmë kush jemi.
Shënime për autoren
Hamide Isufi (1991) ka lindur në Gjilan, jeton në Zvicër. Ka studiuar për ekonomi dhe juridik. Me përkushtim të madh punon në shërbim të drejtësisë sociale. Punon këshilluese dhe ndërmjetësuese ligjore, ekonomike dhe sociale. Mbështet individë dhe familje me sfida të ndryshme jetësore. Ky libër nuk është vetëm një tregim personal i saj. Është një thirrje për të gjitha vajzat dhe gratë që kanë rënë dhe kanë guxuar të ringrihen. Është një dëshmi se fundi nuk është kurrë fund, por gjithmonë fillim.