
Ata janë vetë liria, vetë populli i Kosovës” – Koci për protestën në Hagë: Nëse krerët e UÇK-së janë kriminelë, atëherë të gjithë ne luftëtarët e lirisë jemi kriminelë
Protesta e organizuar me 7 gusht te këtij viti më kerkesë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do vazhdojë me 14 shtator në Hagë, atje edhe ku po bëhet gjykimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit. Kjo protestë po organizohet me interesim të madh nga diaspora dhe nga qytetarët e Kosovës.
Kështu të paktën ka deklaruar për Gazeta Blic, organizatori i kësaj proteste për diasporë, Fatmir Koci.
“Organizimi i protestës po shkon mirë. Jemi shumë të angazhuar sepse interesimi është i madh si nga diaspora, Evropa dhe Amerika. Po bëjmë gjithçka që t’u përgjigjemi kërkesave të mërgimtarëve dhe të gjithë shqiptarëve për një protestë të qetë dhe gjithpopullore,” tha Koci.
Ai bëri të ditur se vetëm deri tani nga Kosova janë rezervuar pesë autobusë dhe rezervimet po vazhdojnë çdo minutë.
Poashtu, Koci tha se përkrahje për protestën ka ardhur edhe nga Maqedonia e Veriut, ku një autobusë me veteranë ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Sa i përket partive politike, Koci theksoi se që në fillim u është bërë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partive për mbështetje, por sipas tij, protesta nuk ka ngjyrime politike.
“Kjo nuk është protestë e asnjë partie politike, por protestë gjithëpopullore mbarëshqiptare,” u shpreh ai.
Koçi tha se mesazhi i protestës do të jetë i qartë dhe se nuk do të lejojnë që në emër të drejtësisë të ndodhin padrejtësi.
“Ne nuk do të lejojmë që në emër të drejtësisë të ndodhin padrejtësi. Në Hagë do të protestojmë jo për emra të përveçëm, por për mbrojtjen e luftës sonë të drejtë dhe të pastër. Do të mbrojmë shtetësinë e Kosovës, sepse aty po gjykohet lufta jonë e shenjtë dhe shtetësia e Kosovës. Aty po mbahen krerët e UÇK-së. Ne jemi ata, ata janë ne. Domethënë ata janë vetë liria, vetë populli i Kosovës.”
Koci poashtu aktakuzën e ngritur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, e quajti të padrejtë dhe konsideroi se e njejta duhet të bie poshtë.
“Neni 35 i aktakuzës duhet të bie poshtë, sepse nëse krerët e UÇK-së janë kriminelë, atëherë të gjithë ne luftëtarët e lirisë jemi kriminelë. Prandaj, si OVL-UÇK dhe si përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, do të qëndrojmë gjithmonë me krerët e UÇK-së.
Koçi përmbylli duke thënë se protesta do të jetë e qetë, por shumë e madhe, duke dërguar mesazhin e unitetit të shqiptarëve në mbrojtje të luftës së UÇK-së.
Protesta do fillojë nga ora 14:00.