Atë Ndue Kajtazi: Nuk guxojmë t’i harrojmë çlirimtarët tanë

11 nëntor 2022 | 13:12

-Fjalim i Atë Ndue Kajtazit, i mbajtur më 1 nëntor 2022, në varrezat e Dëshmorëve në Meje

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, i nderuar P. Kolë, e ju të tjerët që keni ardhur….
Ky vend, është vend Pelegrinazhi. Vend ku ne duhet të shkojmë një herë, dy herë, shumë herë në vit. Të ndalemi t’i kujtojmë të parët tanë, t’i përkujtojmë momentet se çka ka ndodhë…
Natyrisht, se këta (dëshmorët) jam i bindur se e gëzojnë jetën në amshim me Zotin. Jam i bindur se jetojnë me Zotin. Sepse kanë jetuar sipas Fjalës së Zotit. E në Meje sot dëgjohet fjala ku thuhet, ata që e kryejnë vullnetin e Zotit, Zoti i shpërblen në Mbretërinë e Vet.
Këta njerëz, këtu që janë varrosur. Këta e kanë kryer vullnetin e Zotit. Me e dashtë vendin e vet, me e dashtë tokën e vet, me e dashtë shtëpinë e vet, me e dashtë familjen e vet. E me i kry këto detyra, don me thanë me i kry detyrat që Zoti t’i jep.
Këta njerëz, që eshtrat e tyre pushojnë në këto varre, i kanë kryer detyrat për mrekulli. Këta njerëz kanë çka me na thanë ne. Këta njerëz na flasin me jetën e vet.
E ne të gjallët jemi njerëz të çuditshëm. Ne të gjallët sot, gjenerata që po jetojmë, jemi të përçudnuem. Ju e dini se ai popull që e harron të kaluarën, detyrohet ta përsërisë atë. Çdokush që e harron një pjesë të jetës, detyrohet ta përsërisë atë. Ne nuk guxojmë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, këtë pjesë të vuajtjes së popullit tonë, këtë pjesë të vuajtjes suaj.
Për çudi! Për çudi, ne i harrojmë dëshmorët…
Ky popull është i çuditshëm. I harron dëshmorët. Dëshmor d.m.th. ai që ka dëshmu, ai që ka qenë “ispatë’, ai që ka tregu se çka është. Sepse, dëshmor e martir është e njëjta fjalë. Veçse kjo shqip, e ajo është greqisht.
Ne sot, edhe pse kanë kalu njëzetë e sa vite, nuk guxojmë ta harrojmë gjakun e derdhur të njerëzve të pa faj. Ne nuk guxojmë t’i harrojmë këta njerëz. Ne nuk guxojmë t’u harrojmë emrat e tyre. Ne nuk guxojmë viktimat e luftës t’i harrojmë. Ne nuk guxojmë t’i harrojmë as çlirimtarët tanë.
Sa gojëshlirë jemi ne, sa lehtë flasim keq për çlirimtarët. Imagjinojeni ju që jeni kanë, e ju që s’jeni kanë. Nuk është lehtë me e marrë një pushkë e me i dalë tankut përpara. Edhe me ikë nuk është e lehtë. E sakrificën e tyre nuk guxojmë me e përqeshë…
Ne i përqeshim çlirimtarët tanë. Ne i përqeshim viktimat tona. Thonë: “ka mujtë me ikë, ka mujtë me dalë, ka mujtë me shku”. Ku me shku prej shtëpisë tënde? A ke ku me shku?
Ne jemi popull i çuditshëm. Zemra na kënaqet me i pa njerëzit tanë në burg. Zemra i kënaqet me e pa duke u gjyku për luftën që e ka ba. Unë s’jam gjyqtar, as nuk i shfajësoj askënd! Por një gjë e di! – që s’kanë shku me luftu as nëpër Serbi, e as në vendet tjera. Kanë luftu në tokën e vet, në shtëpinë e vet! Këtë e di, e këtë e dini edhe ju.
Krejt bota krenohen me çlirimtarët e vet, edhe me zaptues, qofshin ata perandorë. Francezët krenohen me Napoleonin që ka shku me e shkelë krejt Europën, me dalë në Rusi. Italianët krenohen me perandorët e vet, që kanë dalë deri në Azi. Turqit krenohen me sulltanët e vet, që kanë shku deri në Vjenë. E ne turpërohemi për njerëzit që kanë luftu për pragun e vet.
Ata që e harrojnë historinë, kanë me e përsëritë. Sepse, gjërat që harrohen, ato përsëriten.
Kthehemi në realitetin tonë këtu.
Ju që jeni këtu, mos e harroni gjakun e derdhur të këtyre njerëzve (dëshmorëve). Se këta s’kanë pasë tjetër çka me dhanë ma shumë përtej se sa jetën e vet. E kur e jep jetën, ke dhanë gjithçka!
T’paktën një herë në vit, t’paktën dy herë në vit, e shumë herë në vit, me ardhe vetëm me shetitë, me bisedu në heshtje me ta. Kanë shumë gjëra me na thanë…
Sot, në Ditën e të Gjithë Shenjtërve, i lutemi të gjithë atyre Shenjtërve, të jep Zoti paqe në këtë vend. Paqe kudo ku kërcënohet liria dhe qetësia. Sepse, njeriu është i krijuar për paqe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Spanjës ka publikuar listën me futbollistët e ftuar…