ATK-ja bën thirrje që të paguhen tatimet për të ardhurat e realizuara nga furnizimet elektronike

06 maj 2025 | 14:55

Administrata Tatimore e Kosovës ua ka rikujtuar të gjithë personave fizikë jo afaristë, personave fizikë afaristë dhe personave juridikë, se për të ardhurat e realizuara nga furnizimet elektronike, kanë detyrim të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara nga furnizimet elektronike dhe nuk paguajnë tatimet për ato të ardhura.

Tatimpaguesit, që nuk përmbushin këto detyrime ligjore, duke mos deklaruar dhe/apo mos paguar tatimet për të ardhurat e realizuara nga furnizimet elektronike, do të përballen me masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.

“ATK-ja ju bënë thirrje që të gjithë personave të përfshirë në aktivitete lidhur me furnizimet elektronike, që të sigurohen se deklaratat e tyre janë të dorëzuara në kohë, janë të sakta dhe të plota, për të shmangur vonesat apo gjobat që mund të aplikohen, apo nëse vlerësohet se duhet të korrigjojnë deklaratat e tyre, një gjë të tillë duhet ta bëjnë sa më parë, në mënyrë që të përmbushen të gjitha detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin tatimor. Përmbushja e këtyre detyrimeve tatimore kontribuon direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, ka njoftuar ATK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandantja e Qendrës për Studime Universitare, major Mimoza Budeci, ka…