Auditorja e Përgjithshme: Dialogu kuptimplotë dhe efektiv me organizatat e shoqërisë civile, profesionale dhe donatorët rrit ndikimin e auditimit

04 nëntor 00:07

Përfshirja e Shoqërisë Civile në procesin e auditimit mundëson rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe ndikon në përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.

Kështu është thënë të enjten nga të pranishmit në tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe organizatat ndërkombëtare me temën “Prezantimi i planit vjetor të auditimit 2022 – 2023 dhe përfshirja e shoqërisë civile në fazën e parastudimit”.

Kjo tryezë kishte për qëllim prezantimin e Planit të Auditimit 2022-2023 si dhe diskutimin për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit përgjatë procesit të auditimeve të performancës.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se për Zyrën Kombëtare të Auditimit është tejet e rëndësishme që të ketë një dialog kuptimplotë dhe efektiv me Organizatat e Shoqërisë Civile me qëllim që puna audituese të ndikojë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike.

Znj. Spanca, ka ritheksuar se objektivë e saj dhe e ZKA-së është që OShC-të të jenë të përfshira, përveç në propozim të temave të auditimit, edhe në fazat e tjera në mënyrë që të arrihet objektiva e përbashkët që paraja publike të shfrytëzohet me kujdes dhe për të mirën e  qytetarëve.

“Ashtu siç ju kam informuar, dhe për shkak se portofolio kryesore e auditimit është auditimi financiar si rrjedhojë e obligimeve ligjore, jemi të limituar në mbulimin më të madh me auditime të performancës. Pavarësisht kësaj si rezultat i tryezës së fundit, ne kemi përfshirë në Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022-2023 dy tema të auditimit që janë propozuar nga Organizatat e Shoqërisë Civile”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme.  

Tutje znj. Spanca, ka treguar se tashmë ZKA-ja ka dorëzuar Planin Vjetor të Auditimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, duke bërë me dije se për sezonin 2022/23 janë planifikuar 134 auditime, prej të cilave 113 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), 18 auditime të performancës dhe 3 auditime të pajtueshmërisë. “Unë dhe stafi im jemi të përkushtuar që në vazhdimësi t’i ofrojmë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me menaxhimin e fondeve publike.  Besueshmëria në punën tonë audituese është thelbësore. E puna jonë e sezonit që e përmbyllëm edhe u shpërblye me vlerësime pozitive si në Raportin e Progresit për vitin 2022 e ashtu edhe në Raportin e Barometrit Ballkanik sipas se cilit për 2022,  ZKA në të gjithë indikatorët prinë  në nivel rajonal dhe besueshmëria e qytetarëve në punën tonë është dyfishuar në krahasim me vitet e kaluara. Sidoqoftë, kjo vë para nesh një obligim që këtë besueshmëri ta mirëmbajmë dhe ta përkthejmë në rezultate konkrete”, ka theksuar ndër të tjera ajo.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, ka prezantuar temat e auditimit të performances të parapara me Planin Vjetor të Auditimit 2022/2023. Ajo ka theksuar se “Në Planin Vjetor të Auditimit 2022/23 do të mbulojmë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturor e sportive si dhe tema të rëndësishme në fushën e prokurimit publik, sistemeve të informacionit dhe projekteve nga donatorët”.

Ndërsa përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile kanë përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm si dhe kanë mirëpritur përfshirjen e propozimeve të tyre për temat e auditimit të performancës në Planin Vjetor të Auditimit. Ata kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar ZKA-në jo vetëm në përzgjedhjen e temave të auditimit, por edhe në fazat e  tjera të procesit, me theks të veçantë në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. Edhe përfaqësuesit e projekteve nga donatorët, kanë kërkuar nga OShC-të që të jenë zë aktiv i punës audituese në mënyrë që të rritet integriteti, transparenca, llogaridhënia si dhe të përmirësohet qeverisja dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Kurse Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të këtij diskutimi, pasi ka përmbledhur rezultatet e kësaj tryeze, ka thënë se Shoqëria Civile është zëri i qytetarëve prandaj, përmes bashkëpunimit me të, ZKA-ja synon të përcjellë mesazhin te qytetarët. Z. Halilaj ka shprehur përkushtimin e menaxhmentit të ZKA-së që të gjej mundësitë që në vazhdimësi të rris bashkëpunim me OShC-të edhe sa i përket auditimeve të rregullsisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj ka folur për propozimin franko-gjerman,…