Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në samitin global për auditim dhe AI

05 shkurt 2026 | 11:43

Autoriteti i Llogaridhënies i Emirateve të Bashkuara Arabe, më 2 dhe 3 shkurt 2026 në Abu Dhabi, organizoi konferencën ndërkombëtare “Ripërcaktimi i auditimit në epokën e Inteligjencës Artificiale (AI)”, ku morën pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj, me staf mbështetës.

Konferenca bëri bashkë drejtues dhe përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme të botës dhe u fokusua në ndikimin e inteligjencës artificiale në auditimin publik, si dhe në mënyrat se si teknologjia mund të rrisë efikasitetin, transparencën dhe saktësinë e procesit të auditimit.

Punimet e konferencës u hapën me fjalë hyrëse nga Auditori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Humaid Obaid Khalifa Obaid Abushibs, Auditori i Përgjithshëm i Izraelit, njëherësh president i EUROSAI-t, Matanyahu Englman, si dhe shkencëtari kryesor dr. Sterling Thomas nga Zyra Qeveritare për Llogaridhënie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesëmarrësit, përgjatë dy ditëve, ndanë përvojat dhe praktikat më të fundit të përdorimit të AI në auditime, përmes prezantimeve interaktive dhe shembujve praktikë nga ekspertë të Institucioneve Supreme të Auditimit nga më shumë se 20 vende të botës. Në kuadër të sesioneve punuese u testuan mjete të AI për auditime më të shpejta dhe më të sakta.

Diskutimet u fokusuan gjithashtu në sfidat dhe mundësitë e ardhshme të AI në sektorin publik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për auditim publik më efektiv dhe për qeverisje më të mirë.

Në kuadër të konferencës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka zhvilluar takime të veçanta me homologë nga vende të ndryshme duke përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Zvicrës, Maltës, Estonisë, Sllovakisë, Maqedonisë së Veriut si dhe përfaqësues të tjerë.

Gjithashtu gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në sesionin e parë të punimeve të Samitit Botëror të Qeverisjes, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë institucionalë, liderëve qeveritarë, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve nga mbarë bota.

Gjatë samitit u zhvilluan panele diskutimi dhe sesione të ndryshme, të cilat trajtuan tema me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen e mirë, inovacionin digjital dhe sfidat e së ardhmes.

Pjesëmarrja e Auditores së Përgjithshme në këtë samit përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, ndërtimin e partneriteteve institucionale, si dhe forcimin e rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit në nivel botëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha dhe Ismail…