
Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën priti në takim pune Udhëheqësen e Ekipit të Qeverisjes së Mirë në kuadër të projektit Reforma në Administratën Publike/ Menaxhimi i Financave Publike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Laura Fallavollita.
Takimi u mbajt në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe pati për qëllim informimin e dyanshëm për zhvillimet më të fundit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e njoftoi mysafiren për përfundimin e procesit të auditimit të rregullsisë dhe publikimin e raporteve.
Në veçanti u bisedua për trendin e opinioneve të auditimit për organizatat buxhetore në nivel qendror dhe lokal si dhe potencoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike.
Gjithashtu Spanca e njoftoi edhe për auditimin e Raportit Financiar Vjetor të buxhetit të shtetit dhe për çështje të tjera me interes të dyanshëm.
Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë si dhe rëndësinë që kanë auditimet në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në institucionet publike.
Në takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në ZKA, Qendresa Mulaj. Ndërsa nga Zyra e BE-së ishin edhe Burbuqe Kelmendi, Menaxhere Projekti/Koordinatore Binjakëzimi dhe Edon Kalludra Menaxher i Projektit.