Auditorja e Përgjithshme takon homologun nga Arabia Saudite – shpreh mirënjohje për mbështetjen ndaj ZKA-së
Në margjinat e Kongresit XXV të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), u mbajt sesioni “Fondi Saudit për Përmirësimin e Performancës së ISA-ve (FISP)” i organizuar nga Gjykata e Përgjithshme e Auditimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. Në kuadër të këtij sesioni, institucionet përfituese prezantuan rezultatet e arritura dhe ndikimin e fondit në rritjen e performancës dhe lehtësimin e sfidave të hasura në punën e tyre të përditshme.
Pas sesionit të përgjithshëm, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, pati një takim të veçantë me Presidentin e Gjykatës së Përgjithshme të Auditimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Hussam Alangari, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm, me theks të veçantë për mbështetjen ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) përmes donacionit nga Fondi Saudit për Performancën e Përmirësuar të Institucioneve Supreme të Auditimit (FISP).
Znj. Spanca tha se Fondi ka kontribuar në forcimin e punës dhe performancës së përgjithshme të ZKA-së, si dhe modernizimin e infrastrukturës së IT-së duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe lehtësimin e procesit të auditimit. “Këto investime kanë sjellur ndryshim të vërtetë në aftësinë tonë për të kryer auditime që janë në kohë, të besueshme dhe me ndikim, duke kontribuar në mënyrë domethënëse në forcimin e faktorëve që përforcojnë besimin e popullit të Kosovës në Zyrën Kombëtare të Auditimit”, deklaroi ajo.
Duke shprehu përkushtimin e saj dhe të ZKA-së ndaj vazhdimit të bashkëpunimit, Auditorja e Përgjithshme ka konfirmuar angazhimin e institucionit që drejton në nismat dhe aktivitetet e INTOSAI-t për të arritur përsosmëri në auditimin publik. “Së bashku, ne nuk po përmirësojmë vetëm institucionet, por po formësojmë një të ardhme me transparencë, besim dhe ndikim të qëndrueshëm. Duke parë përpara, jemi të përkushtuar të përballemi me sfida të reja, të forcojmë llogaridhënien dhe të vazhdojmë të shërbejmë si anëtar i përkushtuar, i aftë dhe krenar i familjes së INTOSAI-t”, theksoi znj. Spanca.
Presidenti i Gjykatës së Përgjithshme të Auditimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Hussam Alangari, tha se është i kënaqur që mbështetja e tyre i ka shërbyer Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të avancojë infrastrukturën e TI-së dhe proceseve audituese.



