Australia ndalon një tjetër platformë sociale për të miturit nën 16 vjeç

05 nëntor 2025 | 08:52

Reddit është shtuar në listën e rrjeteve të ndaluara sociale në Australi për të miturit nën 16 vjeç që do të aplikohet nga muaji i ardhshëm.

Edhe platforma transmetuese Kick do të përfshihet duke e çuar numrin e rrjeteve të ndaluar në nëntë. Në listë përfshihen Facebook, X, Snapchat, TikTok, YouTube, Instagram dhe Threads.

Prej 10 dhjetorit, kompanitë e teknologjisë mund të gjibiten deri në 32.5 milionë dollarë nëse nuk ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese për fëmijët nën 16 vjeç dhe për të ndaluar llogaritë e reja.

Çdo platformë është zgjedhur pasi “qëllimi i tyre i vetëm ose dallues është mundësimi i ndërveprimit online”, sipas qeverisë dhe më shumë rrjete mund të shtohen për shkak të natyrës “së ndryshueshme” të teknologjisë.

“Vonimi i aksesit të fëmijëve në llogaritë e rrjeteve sociale u jep atyre kohë të vlefshme për të mësuar dhe për t’u rritur, të lirë nga forcat e fuqishme, të padukshme dhe veçoritë e dyshimta të dizajnit si algoritmet e stërmbushura dhe lundrimi i pafund”, tha Komisionerja e Sigurisë Elektronike, Julie Inman Grant.

Në aplikacionet e ndaluara nuk do të përfshihen Discord, WhatsApp, Lego Play, Roblox, Google Classroom dhe YouTube Kids.

Mbetet e paqartë sesi kompanitë do të zbatojnë këtë ligj që po vëzhgohet nga afër nga udhëheqësit botërorë, por disa nga metodat e mundshme janë dokumentet e identifikimit, miratimi i prindërve dhe identifikimi i fytyrës.

Kritikët kanë shfaqur shqetësime për privatësinë e të dhënave dhe saktësinë e programeve të verifikimit të moshës, pasi një raport i fundit ka treguar se metodat e propozuara mbartin rreziqe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi Ukraina u lejoi meshkujve nga mosha 18 deri në…