
Australian Open mund të shtyhet për dy javë
Grand Slam i Australian Open, i parashikuar të nisë në Melburn më datën 18 janar, mund të shtyhet për dy javë.
Lajmin e ka konfirmuar Ministri i Sportit në Shtetin e Victoria (Australi), Martin Pakula. “Turneu mund të shtyhet maksimumi për 2 javë. Mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë edhe pse jo e vetmja që kemi për momentin në tavolinë”, ka thënë Pakula.
“Këtë vit turneu i Wimbledon u anulua, ndërsa Roland Garros u shty nga pranvera në vjeshtë. Unë jam i idesë se Australian Open do të ketë një shtyrje të vogël, kjo për shkak të situatës shumë komplekse në botë prej pandemisë”, ka shtuar Pakula.
Shkak i shtyrjes janë rregullat anti-Covid 19 që janë vendosur në shtetin e Victoria, që detyron të gjithë të huajt të qëndrojnë dy javë në karantinë pasi vijnë në Australi. Nga ky rregull nuk bëjnë përjashtim as tenistët.