Autobusi përplaset me trenin në Meksikë, 10 të vdekur, 61 të lënduar

09 shtator 2025 | 08:30

Dhjetë persona humbën jetën dhe të paktën 61 të tjerë u lënduan në Meksikën qendrore, pasi një tren mallrash u përplas me një autobus pasagjerësh me dy kate. Ngjarja ndodhi në një zonë industriale, në autostradën mes qyteteve Atlakomulko dhe Maravatio.

Sipas autoriteteve lokale, autobusi tentoi të kalonte përpara trenit në lëvizje, duke shkaktuar përplasjen tragjike. Kompania hekurudhore Canadian Pacific Kansas City de Mexico shprehu ngushëllime për viktimat dhe u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore në kalimet hekurudhore.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë pjesën e përparme të katit të sipërm të autobusit të shkatërruar plotësisht, me strukturën metalike të dëmtuar rëndë, raporton Reuters.

Prokuroria e Shtetit të Meksikës konfirmoi se viktimat janë shtatë gra dhe tre burra. Disa nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerë janë liruar nga spitali pas trajtimit.

Aksidentet fatale me autobusë janë të shpeshta në Amerikën Latine. Vetëm në vitin 2023, autoritetet meksikane raportuan mbi 12 mijë aksidente rrugore në rrugët federale, me 1,900 viktima dhe mbi 6,400 të plagosur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Greqia është goditur nga një tërmet i fortë. Cak i…