AUV-i asgjëson gati 3 mijë kilogramë tranguj të konservuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar se janë asgjësuar 2 mijë e 900 kilogram tranguj të konservuar. Siç ka bërë me dije AUV-i, janë zbuluar mbetje të pesticidit “Chlorpyrifos” në tranguj të përpunuar në Mamushë për t’u eksportuar në Slloveni.
“AUV njofton opinionin publik se, përmes sistemit të alarmimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë-RASFF, ka pranuar një njoftim lidhur me zbulimin e mbetjeve të pesticidit ‘Chlorpyrifos’ në tranguj të përpunuar në Mamushë, Kosovë, dhe të eksportuar në Slloveni. AUV-i ka ndërmarrë masat e menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, përfshirë: identifikimin dhe bllokimin e produktit të prekur si dhe koordinimin me institucionet relevante brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF”, ka njoftuar AUV-i.
Sipas AUV-it, se sasia prej gati 3 mijë kilogram tranguj ka qenë e përgatitur për eksport në Slloveni dhe si e tillë u asgjësua.
“Nga veprimet e ndërmarra sipas njoftimit të RASFF, është konstatuar se loti nr. 090827, në sasinë prej 2 934.70 kg tranguj të prerë dhe të konservuar, ka qenë e përgatitur për eksport në Slloveni dhe si e tillë, është asgjësuar në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe palës përkatëse, konform legjislacionit në fuqi”, ka njoftuar AUV-i.
AUV -i ka njoftuar se tranguj të tillë nuk gjenden në tregun e Kosovës.



