Avdush Canaj, poet lirik që sjell ngrohtësi për fëmijë dhe të rinj

10 janar 2018 | 10:38

Nga Maxhun Osmanaj

Përsiatje letrare

Poezia e Avdush Canajt shquhet për një lirizëm të ngrohtë, plot rrezatim dhe dashuri ku depërton ëmbëlsisht në shpirtin e fëmijëve, zogjve, natyrës…

Poezia e këtij autori, tashmë të mirënjohur shpërfaq raporte të afërta, fëmijë-prind me gjithë ato çapkënllëqe, kënaqësi dhe befasi që ofron bota e pasur e fëmijëve.

Ai është një zë origjinal, që i bashkohet klasikëve të fjalës, mjeshtërve: Agim Deva,Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Adelina Mamaçi, Xhevat Beçaraj, Xhahid Bushati, Arif Demolli, Gani Xhafolli, Abdulla Thaçi etj… “Simpatitë dhe dashuritë që pikasin vjershat e Canajt janë nga ato të jetës së përditshme në shkollë, në lagje, në rrugë, në lojë e kudo ku sillen fëmijët, fëmijë, të cilët atë ndjenjë të fuqishme e kanë në nivel të simpatisë, por edhe fëmijët paksa më të rritur, të cilët, me zgjimin që hetojnë në vete, hyjnë në botën e të rinjve”, (prof. dr. Xhevat Syla, studiues, “Kush e shkruan poezinë”, ShB, “Faik Konica”, Prishtinë, 2005, f. 148)

(Prolog në vend të biografisë) Avdush Canaj, (1955), poet, prozator, gazetar, tashmë ka hyrë në kalanë e fortë, të quajtur, letërsi, përkatësisht letërsi për fëmijë. Kësaj kalaje, herë pas here ia shton nga një libër-gur të fortë me vlera ideo-artistike, ku fëmijët i presin si rreze të ngrohta, sa herë u bien në duart e tyre.

I përfshirë në shumë atologji me poezi, tregime, ai mbetet një trashëgimtar i denjë i vëllait të talentuar, Alush Canaj (1952-1972), që herët u këput si lule, para një stine të egër. “Më mësove /të këndoj /si bilbili/ n’kopshtin tonë, /pastaj ike/ diku larg/ tepër larg /përgjithmonë” (Vals veror” – Alush Canaj, Zëri, Prishtinë, 1992, f. 7, përgatiti: Avdush Canaj).

Canaj, deri tani botoi këta libra: Gjeneral pa epoleta, poezi, (1993), Lepurushi i çokollatave, tregime, (1994), Gonxhja nga Jupiteri, poezi, (2000), Zogu në derë, poezi, (2003), A fle peshku me pizhame, poezi (2008), Mollë me syze, poezi (2010) Dallëndyshet e gjumit, tregime – roman, (2011), Fluturat me sandale, poezi (2013), Ylli pikturon ëndrrën, poezi, (2015).
Vjershat e poetit të ngrohtë i gjejmë në revista, gazeta, libra tash e dyzet vite.

Në këtë vështrim panoramik, që poeti m’i dhuroi ca vëllime para dy muajsh, më bënë përshtypje, më lanë mbresë që t’i them pak veçori apo karakteristika librat në shqyrtim. Por duke i lexuar me vullnet dhe maturi, s’ke sesi të mos thuash diçka…, qoftë si lexues, qoftë si krijues, qoftë si mik.. (Fluturat me sandale, (vjersha për fëmijë dhe të rinj), Avdush Canaj, SHB. Rozafa, Prishtinë, 2003. Dashuria, çelës i portës së shpirtit) Canaj me një lirizëm të thellë, me një botë të ngrohtë ,me një fisnikëri dhe humanizëm, hy aq lehtë në botën e zogjve, në shpirtin e fëmijëve, në shpirtin e gjyshit dhe gjyshes, ku dashurinë e ka çelës të portës së shpirtit.

Ai hy lirshëm, pa trokitur, jo si mysafir, por si mik i përhershëm. Zogjtë kurrë s’e lënë poetin fillikat “Ju e dini/Ju dua tok/Mua zogj, më keni shok. Ai s’kënaqet me kaq, vazhdon kënaqësinë me ta: Më vini në dritaren time /E sillni Frymëzime/Për këngë të reja/Të shtohet hareja. Ju në zemrën time. Keni bërë folenë/Bashkë me dashurinë/Ma ujitni poezinë. (Kurrë s’më lini fillikat, f. 39-40).

Flora dhe fauna poetike e Canajt është e pasur, e shëndetshme si kroi i burimit të bjeshkës. Vjershat e këtij libri i mbulon një ligjërim i lehtë, i kapshëm për fëmijë, për moshën që kanë ,dhe ato na vijnë herë si rrëfim në vetën e parë, herë në vetën e tretë. Herë si këshillë, herë si meditim fantastik.

Në këtë vëllim poeti kalëron tema përkushtuese, tema sociale, tema nga mërgimi, tema nga shkolla, tema nga familja, nga natyra dhe përditshmëria që vizitojnë mendjen dhe shpirtin e poetit.

Temat të cilat i trajton Camaj, nuk kanë zymtësinë, por shpërfaqin një vel ngrohtësie, herë drejtpërdrejt, herë tërthorazi prek këto tema, që nxit fantazinë e lexuesit të vegjël për botën që na rrethon. Shpesh vjershat e autorit kanë një përfundim befasues, gazmor.

Autorit nuk i ikën nga mendja dhe kujtesa as lufta e fundit në Kosovë (1998-1999) ku u dhuron disa vjersha përkushtuese fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Në vjershën: Fshije lotin, nënë, shkruan në mes tjerash: Ne s’perënduam. Fluturuam të Hyji/Ujqër e hijena/Mashtruam (f. 93).
Një vjershë tjetër me një peshë sa të rëndë, historike, po aq krenare dhe me një përkushtim të thellë: I shenjtë është Prekazi/E dimë të gjithë Ne/Këtu lexohet libri i madh/Për Liri, Atdhe…(Dheun ta puthësh tri herë).

Libri hapet me vjershën-cikël ‘Hape portën’ dhe përmban 77 vjersha, të cilat disa nuk i përmbahen ndërtimit tradicional. Disa kanë një rimë të njëpasnjëshme, disa u mungon rima, ndërsa vjershat kanë një ndërtim strofik që nga dy vargje, tri vargje, katër, pesë vargje. Disa vjersha janë edhe të lira nga metri dhe rrokjet. Autori i vesh vjershat me një petk figurative të pasur me figura letrare, ku ato bartin një kuptim të dytë, përcjellin idenë dhe mesazhin edhe përmes shprehjeve mbresëlënëse. (Ylli pikturon ëndrrën, (vjersha për fëmijë e të rinj) SHB, Rozafa, Prishtinë, 2015, Ëndrra si dashuri dhe fantazi) Ky libër përkon me 60-vjetorin e lindjes së autorit.

Fillon me një mendim perlë: Çdo gjë që duart e mia prekin, fluturon. Është e mbushur plot zogj bota. (Oktavio PAZ). Libri hapet me një vjershë, Në krah zogjsh dhe ndahet në tetë cikle: Treni i ëndrrave, Në kalë të reve, Diçka prej mjalti, Zemra vizatojnë me cicërime, Drurët e trishtuar, Të presin edhe lulet, Kur të gjejë babi punë, Vera me violinë, Nëpër xhepa t’poezive, ndërsa brenda librit, kalërojnë nëntëdhjetë vjersha. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse është në pritjen e fëmijës së tretë, Kate…